“Padrejtësia e sistemit ekzistues është se e njëjta energji paguhet me çmime të ndryshme.”
Nuk ka logjikë të paguhen katër çmime të ndryshme për të njëjtin produkt të energjisë elektrike, tha kryetari i ri i Komisionit Rregullator të Energjisë Aco Ristov. Ai njoftoi një analizë të 4 blloqeve tarifore në faturat për energjinë elektrike të konsumuar për përdoruesit e tregut të rregulluar sipas bursës. Ai tha se do të shqyrtohet një mundësi që do të jetë më e drejtë e njësoj për të gjithë konsumatorët e rrymës.
“Energjia është një mall burse me një çmim dhe ai që e prodhon e shet me të njëjtin çmim, dhe gjithçka tjetër është një kategori shoqërore që duhet të harmonizohet me shtetin. Nuk mund të ketë 5 çmime për të njëjtin produkt. Nuk thash se do të shfuqizohen tarifat, do të shqyrtojmë përvojat nga zbatimi i sistemit tarifor dhe do të bëjmë një analizë nga e cila do të varet ajo që do të bëjmë në të ardhmen”, tha Aco Ristov
Kreu i KRRE Aco Ristov tha se ky është vetëm mendimi tij personal, pasi që Gjykata Kushtetuese i rrëzoi iniciativat për heqjen e bllok-tarifave të energjisë elektrike. Por, ai tha se duhet të shikohen edhe përvojat e shteteve tjera për të pasur një masë duke evituar praktikat e padrejta tregtare për rrymën.
“Mendimi im personal është se gjithçka duhet të hapet dhe ne do ta shqyrtojmë këtë çështje në periudhën e ardhshme nëse do të kemi blloqe apo jo apo t’i dimensionojmë ato ndryshe. Do të bëjmë një analizë të përvojës së deritanishme sepse blloqet kanë funksionuar për disa vite dhe është një zgjidhje e vlefshme. Në të njëjtën kohë, nga përvojat e rajonit do të shohim se si mund të bëhet diçka dhe nëse mund të bëhet diçka më e mirë në interes të konsumatorëve”, tha Aco Ristov
Ndryshe bllok tarifat u vendosën në kohën e ish kryetarit Marko Bislimovski me idenë që ata që do të harxhojnë më shumë, do të paguajnë më shtrenjtë.
