Gazetare: Ajnur Bafqari

Kryeministri Hristijan Mickoski këmbënguli se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese me kushtet aktuale, duke nënvizuar se nëse është e nevojshme vendi do të pres të kalojnë dekada të tjera. Mickoski u shpreh i prerë se për momentin, me asnjë kusht nuk e ka ndërmend të futet në, siç tha ai, aventura.

“Nëse është e nevojshme edhe ne do të presim dekada, por politikat që në mënyrë direkte ndikojnë në identitetin tonë, ndërsa nga ana tjetër nuk ofrojnë parashikueshmëri dhe fund të qartë të këtij procesi, unë e kam thënë dhe do ta përsëris, nuk e kam ndërmend, derisa unë jam kryeministër, me asnjë lloj çmimi, të futem në një aventurë të tillë. Ne mund të futemi  në aventurë, nuk e injorojmë ‘elefantin’, elefantin e kemi në dhomë, e prunë ata të mëparshmit, por pa pasur një fund të qartë dhe pa e ditur çfarë fitojnë maqedonasit në Bullgari, pa pasur përfundime të qarta nga Këshilli Evropian, ne nuk do të futemi në asnjë aventurë që neve do të në çojë në kënetë politike,” deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Mickoski tha se vendi qëndron i fokusuar te agjenda reformuese, ndërsa nëse dëshmohet se është më i miri në rajon në këtë drejtim dhe edhe përskaj kësaj kushtëzohet me ndryshime kushtetuese, atëherë nënkupton se nuk e ka një bashkëbisedues të mirë.

“Unë jam i bindur se me raportin e qershorit edhe në pjesën e agjendës reformuese do të jemi më të mirët, tashmë jemi krah për krah me më të mirin, në qershor do të jemi më të mirët. Kështu që ja, nëse ata mendojnë se ndryshimi i kushtetutës duhet të jetë kusht edhe pse për gjithçka tjetër do ishim më të mirët, atëherë më vjen keq, por këtu nuk ka bashkëbisedues të mirë….Duhet secili ta dijë, se kjo punë varet ekskluzivisht nga partia më e madhe në shtet dhe nga kjo udhëheqësi, që është VMRO-DPMNE. Nëse dikush jeton në iluzion se do të gjejë përsëri marioneta që do të bëjnë diçka në shtet, gënjehen, kjo punë nuk bëhet kështu,” tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Ndërkohë vetëm një ditë më parë, kryeministri Mickoski deklaroi se nga Brukseli është kthyer me lajme të mira, por pret që Komisioni Evropian t’i shpalosë ato. /Alsat.mk

The post Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se secili duhet ta dijë se ndryshimet kushtetuese varen ekskluzivisht nga VMRO-DPMNE-ja appeared first on Alsat.