Kryeministri hungarez për vizitë në Maqedoni, dy qeveritë do të kenë seancë të përbashkët

Pak ditë pasi Kuvendi i dha dritë të gjelbër huamarrjes nga Hungaria, në Maqedoninë e Veriut për vizitë vjen kryeministri hungarez, Viktor Orban. Të enjten dhe të premten ai do të jetë mysafir i kryeministrit Hristijan Mickoski, por jo në Shkup. Në kuadër të vizitës së delegacionit të qeverisë hungareze që do të zhvillohet në Ohër, do të mbahet edhe seancë ndërqeveritare.

VMRO-DPMNE dhe lideri i saj dhe kryeministri Hristijan Mickoski konsiderohen të afërt me Orbanin dhe partinë e tij Fidesz. Menjëherë pas formimit të Qeverisë në Shkup në qershor, gjatë samitit të NATO-s në Uashington që u mbajt në gjysmën e parë të korrikut, Mickoski u pajtua me Orbanin që Maqedonia e Veriut të merrte një kredi nga Hungaria në vlerë prej 500 milionë euro. Pak ditë më parë, ligji për huamarrjen u miratua në Kuvend. Për njohësin e zhvillimeve politike Sinisha Pekevski, ky afrim i dy qeverive nuk është i papritur.

“Kjo nuk është diçka e re. Kontaktet e mira dhe raportet e mira që i ka VMRO-DPMNE-ja me partinë qeverisëse në Hungari për më gjatë kohë, tani vetëm se i ngrenë në nivel institucional dhe i thellojnë bashkëpunimin e tyre përmes projekteve të ndryshme, siç ishte tani më i ekspozuari krediti prej 500 milion eurosh nga vendi”, tha Sinisha Pekevski, ekspert.

Pekevski thekson faktin që partitë djathtiste po përforcohen në të gjithë Evropën si pasojë e politikave jo të mira të partive majtiste. Sipas tij, pikërisht partitë e majta evropiane, i dhanë Maqedonisë premtime që nuk i realizuan.

“Në përgjithësi u dëshmua se partitë e majta nuk gjinden aq mirë në qeverisje. Sipas meje sollën shumë probleme dhe sfida me të cilat s’dinë të përballen si krizën me kovid, krizën në Ukrainë dhe krizën në Lindjen e Mesme. Sipas meje sillen keq në dëm të qytetarëve. Për më tepër, sjellja e keqë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe mosrealizimi i premtimeve që i dhanë Maqedonisë dhe Shqipërisë, në mënyrë plotësuese e përforcon qëndrimin e djathtë dhe është normale që të pritet që qytetarët të kthehen nga partitë e djathta të cilat e përforcojnë dhe frymën nacionaliste”, deklaroi Sinisha Pekevski, ekspert.

Hungaria është vendi që strehoi me azil ish kryeministrin Nikolla Gruevski. Megjithatë, sipas Pekevskit, arratisja e Gruevskit është problem i brendshëm i shtetit dhe jo i qeverisë Orban.

Ndërkohë Ohri përgatitet për vizitën. Sektori i Punëve të Brendshme në Ohër thotë se po ndërmerr të gjitha aktivitetet e nevojshme të sigurisë, me qëllim zhvillimin e sigurt dhe të pandërprerë të aktiviteteve të parapara. Fillimisht po bëhet njoftimi për dislokim të automjeteve nga disa vendparkime në Qytet, ndërsa për më datë 26 dhe 27, gjatë lëvizjes së automjeteve të delegacioneve, paralajmërohet edhe mbyllje e përkohshme e disa rrugëve. /Alsat.mk