Një grup fëmijësh nga Biblioteka “Linkest” në Manastir realizuan një vizitë në Kryeministrinë e Shqipërisë, ku u pritën në një takim të veçantë nga kryeministri Edi Rama.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, i cili theksoi rëndësinë e mbështetjes së aktiviteteve kulturore dhe arsimore për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Sipas tij, vizita e fëmijëve në Kryeministri përfaqëson një moment domethënës për promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Ai vlerësoi përkushtimin e të rinjve që, edhe pse larg Shqipërisë, vazhdojnë të mësojnë dhe të lexojnë në gjuhën shqipe.

Meidani nënvizoi se çdo fjalë e mësuar dhe çdo libër i lexuar në shqip ndihmon në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në forcimin e lidhjes mes brezave të shqiptarëve kudo që jetojnë.

Ai shtoi gjithashtu se aty ku ruhet gjuha shqipe, ruhet edhe shpirti i kombit, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve për ta mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare përtej kufijve.