Gazetare: Fatlume Dervishi
Dorëheqja e Kryeprokurorit Publik pritet t’i japë fund një procesi të gjatë kritikash, presioni politik dhe përplasjeje mes pushtetit ekzekutiv dhe Prokurorisë, proces që kishte nisur më shumë se një vit më parë. Lupço Kocevski ishte emëruar nga Kuvendi më 13 shkurt 2024, ndërkohë që gjatë vitit të kaluar kishte përmbushur edhe kushtet për pension, pasi kishte mbushur 64 vjeç, por kishte vazhduar punën.
Kaloi saktësisht një vit që kur Qeveria e intensifikoi retorikën për shkarkimin e Kocevskit, duke e akuzuar për ulje të efikasitetit të Prokurorisë Publike dhe dështim në trajtimin e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë. Ministria e Drejtësisë, me kërkesë të Qeverisë, përgatiti një propozim formal për shkarkimin e tij, por procesi u ndërpre përkohësisht pas tragjedisë në diskotekën “Puls” në Koçan, ku Prokuroria nën drejtimin e Kocevskit hapi hetim për rastin.
Megjithatë, presioni politik nuk u ndal. Kryeministri në disa dalje publike paralajmëroi se pas zgjedhjeve lokale Kocevski do të shkarkohej, duke e bërë të qartë se Qeveria kishte humbur besimin në drejtimin e tij. Propozimi për shkarkim u dërgua në Këshillin e Prokurorëve Publikë, i cili në prill të këtij viti dha mendim negativ: nga nëntë anëtarë, vetëm tre votuan pro shkarkimit, ndërsa gjashtë ishin kundër. Sipas ligjit, ky mendim nuk ishte detyrues për Qeverinë, e cila e riktheu çështjen në procedurë parlamentare. Qeveria renditi disa arsye kyçe përse kishte nisur procedurën e shkarkimit: nxjerrje të paautorizuar të informacioneve nga lëndë gjyqësore, shkelje të detyrimit për ruajtjen e fshehtësisë së procedurave, cenim të reputacionit të Prokurorisë Publike dhe mosveprim në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Sipas Qeverisë, këto veprime kishin sjellë dëmtim serioz të funksionalitetit dhe integritetit të institucionit.
VMRO-DPMNE-ja akuzoi Kocevskin se “e kishte fjetur mandatin”, duke mos hapur raste të korrupsionit të lartë dhe duke mos vepruar ndaj dhjetëra kallëzimeve të dërguara nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucione të tjera. Një nga akuzat më të rënda lidhej me emërimin e një ushtruesi detyre të prokurorit të lartë pa respektuar procedurat ligjore, si dhe me mosndjekjen e përgjegjësisë në rastin e gjyqtarit Naqe Georgiev dhe prokurorit Ixhet Memeti.
Ndërkohë, Kocevski, pavarësisht pritshmërive për largim të parakohshëm, shfaqej publikisht i sigurt, duke deklaruar se me zgjedhjen e tij për kryeprokuror, gjendja në prokurori kishte nisur të përmirësohej.
Goditja e dytë institucionale ndaj tij erdhi më 29 korrik 2025, kur Kuvendi votoi interpelancën ndaj Kryeprokurorit, të propozuar nga partia opozitare E Majta dhe të mbështetur nga shumica qeverisëse e VMRO-DPMNE-së. Interpelanca u bazua në akuza për gjendje jofunksionale në prokurori, neglizhencë në veprim dhe ndikime të jashtme politike.
Me interpelancën e votuar dhe shkarkimin në prag, Kocevski vendosi të japë dorëheqje, duke mbyllur një kapitull të shënuar nga tensione të vazhdueshme mes pushtetit politik dhe prokurorisë. Ai do të mbahet mend si një kryeprokuror mandati i të cilit u karakterizua më shumë nga përplasjet institucionale dhe kritikat për mungesë efikasiteti, sesa nga rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit të lartë.
Dorëheqja e tij hap tani një kapitull të ri për Prokurorinë Publike, por edhe pyetje të vjetra për pavarësinë e drejtësisë dhe kufirin mes përgjegjësisë institucionale dhe ndikimit politik në sistemin juridik të vendit. /Alsat.mk
The post Kryeprokurori Lupço Kocevski kaloi një mandat të shkurtër por të mbushur me kritika, përplasje dhe presione appeared first on Alsat.
