Kryetarët e komunave nuk e përmbushin obligimin ligjor për deklarimin e gjendjes pasurore në Komisionin Antikorrupsion, zbuloi në “Click Plus” në TV21 kreu i këtij institucioni Adem Çuçul. Ai deklaroi se tashmë janë ngritur kallëzime për kundërvajtje dhe paralajmëroi kontroll të shtuar ndaj të gjithë funksionarëve.

“Kur u bëra kryetar menjëherë bëmë verifikim, konstatuam se 35 ish-kryetarë dhe 19 kryetarë të rinj komunash nuk kanë dorëzuar deklarata. Për të gjithë ata kemi shqiptuar urdhra përkatës pagesore për kundërvajtje. Shtesë, tani janë në fazë verifikimi, mendoj se këto ditë do të dalim me numër të këshilltarëve komunalë që nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor. Gjithashtu i kemi verifikuar edhe gjyqtarët dhe prokurorët”, u shpreh Adem Çuçul – kryetar i KSHPK.

Çuçul paralajmëroi se institucioni përgatit përzgjedhje të dhjetë rasteve më të rrezikshme për analizë të mëtejshme, bazuar në vlerësim të rrezikut nga korrupsioni. Ai tha se nën thjerrë janë vënë të dhënat për të ardhurat dhe gjendjen pasurore të zyrtarëve dhe anëtarëve të familjeve të tyre.

“Ne, për të treguar proaktivitet, këtë herë vendosëm të shkojmë te funksionarët më të lartë shtetërorë, për të cilët në opinion do të zgjohej më së shumti interes për verifikimin e statusit të tyre pasuror. Kemi një zgjidhje softuerike e cila në mënyrë ideale ishte konceptuar të detektojë persona me rrezik, përkatësisht persona që kanë dallimet më të mëdha në rritjen e pasurisë dhe të ardhurave që i kanë anëtarët e familjeve të tyre”, tha kryetari i KSHPK-së, Adem Çuçul.

Kreu i Antikorrupsionit i ftoi qytetarët të denoncojnë raste korrupsioni dhe porositi se Komisioni mbetet i hapur për denoncime të drejtpërdrejta. Toleranca ndaj korrupsionit të vogël krijon mjedis ku praktikat e paligjshme bëhen normalitet, gjë që nuk duhet të lejohet, theksoi Çuçul.