Gazetar: Suad Bajrami

Kryetari i tifo-grupit “Shvercerat” ka apeluar deri te politikanët që të mos keqpërdorin gjendjen e Klubit Futbollistik “Shkupi” për qëllime politike, gjatë fushatës për zgjedhje lokale. Ndaj një postimit të kandidati të BDI-së për Çairin, Bujar Osmani, ka reaguar kryetari i “Shvercerave” Fatmir Jashari, ka porositur që klubi nuk është fletushkë zgjedhore, por histori, gjak e dashuri.

“Sidomos këtë e them për z. Bujar Osmanin të cilin nuk e njohim prej dje. 12 vite ka qenë herë ministër e herë zv. kryeministër, asnjëherë nuk është interesuar aspak as për klubin tonë e as për ne Shvercerat. 12 vite ka treguar 0 interes, prandaj sot nuk ka të drejtë morale me e përmend emrin e klubit tonë, për përfitime momentale politike. Stop politizimit!”, shkruan Jashari.

Osmani, paraprakisht kishte shkruar se është momenti për të reflektuar rreth situatës në klubin futbollistik të Çairit, duke ngritur pyetjet nëse FC Shkupi po shkon drejt një kolapsi historik, pas siç thotë ai largimit të lojtarëve më të mirë, por edhe përplasjeve mes tifozëve dhe udhëeqësisë.

“I shtyrë nga këto rrethana, dua të njoftoj opinionin sportdashës se unë si kandidat për kryetar komune të Çairit, një klub të madh me histori nuk mundem ta lë në udhëkryq pa zgjidhje. Tashmë kam ngritur një grup profesional pune, i cili menjëherë ka nisur shqyrtimin apo vlerësimin e gjendjes aktuale në klub”, shkruan Osmani.
Ndaj deklaratës shkrimi të Osmanit, sot reagoi edhe kundërkandidati i tij nga radhët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, i cili porositi që FC Shkupi nuk duhet të përdoret për qëllime politike dhe se futbolli duhet të jetë ajo që i bashkon e jo që i ndan.

“FC Shkupi është i krejt Çairit, i krejt shkupjanve dhe është mbi politikën. Ta lëmë së paku futbolli të na bashkon, të mos jetë futbolli ajo që na ndan. Më vjen keq për situatën aktuale, por mendoj që historia e FC Shkupit tregon se kur ka qenë në pozitën më të keqe, ashtu siç kemi ditur prej ligës 4 ta kthejmë në ligën e parë, ta bëjmë kampion të Maqedonisë, prapë do i qëndrojmë afër Klubit Futbollistik Shkupi. Mirëpo, pas zgjedhjeve lokale. Nuk duhet të lejojmë që klubi futbollistik apo futbolli të na ndanë. Shkupi na bashkon dhe do të na bashkojë pas zgjedhjeve lokale. Nuk e lëmë keq”, tha Izet Mexhiti, VLEN. /Alsat.mk

The post Kryetari i tifo-grupit “Shvercerat” ka apeluar deri te politikanët që të mos keqpërdorin gjendjen e Klubit Futbollistik “Shkupi” për qëllime politike appeared first on Alsat.