Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në seancën e sotme të 147-të hodhi poshtë shtatë ankesa të paraqitura nga qytetarët në lidhje me të drejtat personale të votimit, ku pranoi tre prej tyre.
Të tre do të mund ta ushtrojnë të drejtën e votës pa pengesa nesër, por janë të detyruar të sjellin me vete në vendvotim dhe të tregojnë vendimin që do ta marrin nga KSHZ si bazë ligjore për t’u regjistruar në formularin shtesë të Listës zgjedhore.
Në seancë u miratua edhe Vendimi për anulimin e listës së konfirmuar të anëtarëve të Këshillit të Qytetit të Shkupit iniciuar nga Lëvizja për unitet kombëtar të turqve (DNET). Shpjegimi është se më 17 tetor pas reagimit, erdhi deri te informacioni se në këtë listë ka një person të vdekur. KSHZ-ja propozoi në këtë rast të veprojë Zyra e prokurorit publik.
“KSHZ-ja konform Rregullores dhe Kodit zgjedhor konstatoi se anulohet lista e konfirmuar e Komisionit zgjedhor të Qytetit të Shkupit për anëtarë të Këshillit paraqitur nga DNET. KSHZ-ja ka vendosur që votat e hedhura për listën e anuluar të regjistrohen si fletëvotime të pavlefshme në procesverbalin e votimit nga anëtarët e këshillave zgjedhore. Gjithashtu, anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore që kryejnë votimin për Qytetin e Shkupit si dhe Komisioni zgjedhor i Qytetit të Shkupit nuk do t’i llogarisin ato si vota të marra në procesverbalin përkatës për mbledhjen dhe përcaktimin e rezultateve të votimit”, tha kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko.
Anëtari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski tha se një rast i tillë i propozimit të një personi të vdekur ka ndodhur edhe vitin e kaluar. Lista është refuzuar.
“U iniciua edhe procedurë penale e cila është e paraparë për raste të tilla”, ka thënë Dashtevski.
Në seancë, KSHZ-ja informoi se deri më tani janë regjistruar 1.463 vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet e nesërme lokale nga të cilët 807 janë vendas dhe 644 janë ndërkombëtarë, si dhe 12 gazetarë të huaj. KSHZ-ja miratoi gjithashtu sot akreditimet për monitorimin e procesit zgjedhor edhe për dy gazetarë nga Radio Televizioni i Kosovës.
The post KSHZ refuzoi shtatë dhe pranoi tre ankesa për të drejtën personale të votimit appeared first on Alsat.