Kroacia do ta rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak dymujor prej 1 janarit të vitit të ardhshëm, ka bërë të ditur të enjten (16.08.2024) ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, raporton AP.

Vendimi është marrë në kohën e tensioneve të ngritura në rajon pas agresionit rus kundër Ukrainës, si dhe garës së dukshme të armëve dhe fuqizimit të ushtrive në Ballkan, i cili gjatë viteve ’90 kaloi nëpër luftëra të përgjakshme.

Ky vendim shënon rikthimin e rekrutimit, i cili ishte suspenduar më 2008 kur Kroacia kishte kaluar në sistemin e bazuar në vullnetarë.

“Ne kemi rritur pagat e ushtarëve, oficerëve dhe nënoficerëve, të drejtat e tyre materiale jo vetëm nëpërmjet të ardhurave personale, por edhe nëpërmjet mëditjeve dhe gjithçka që lidhet me angazhimet e tyre” – ka deklaruar ministri kroat për transmetuesin RTL.

“Modernizimi dhe pajisja e Forcave të Armatosura po procedohet qysh është planifikuar dhe në pajtim me marrëveshjen me aleatët tanë dhe me lidershipin e NATO-s” – ka thënë Anushiq, duke shtuar se nuk do të kursehen fondet në këtë fushë.

Edhe vende të tjera në Evropë po shqyrtojnë masat të ngjashme ose kanë rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak si kundërpërgjigje ndaj tensioneve të ngritura në rajon.

Vitin e kaluar, Letonia riktheu rekrutimin ushtarak si reagim ndaj kërcënimit që nxiti agresioni i plotë i Rusisë ndaj Ukrainës. Serbia, rivalja më e madhe e Kroacisë në Ballkan, gjithashtu, po mendon riaktivizimin e rekrutimit.