Ligji për përfaqësimin e drejtë, për të cilin koalicioni VLEN pohonte që javën e kaluar se ishte hartuar dhe se do të gjendet në debat publik, nuk është ende plotësisht gati. Deputeti nga radhët e këtij koalicioni qeverisës, Rijad Shaqiri, thotë se kanë një draft version dhe se përmes këtij ligji institucionet ku nuk ka të punësuar shqiptarë do të obligohen që ta bëjnë këtë, sepse në të kundërtën do të kontrollohet nga shteti. Për të shmangur keqpërdorimet, ai thotë se të gjithë do të duhet të dorëzojnë certifikatën e lindjes, ndonëse në këtë dokument nuk parashikohet deklarimi i përkatësisë etnike.
Po kryeministri Hristijan Mickoski thotë se ligji nuk është ende gati dhe kur të finalizohet do të dorëzohet te Komisioni i Venecias dhe më pas në debat publik. Ligji duhet të jetë kushtetues dhe të bazohet në dy parime, Badenter dhe të drejtën e punës.
Për këtë ligj dje, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se ai po sillet në mënyrë jotransparente dhe mendon se duhet të ketë angazhim më të madh të partive në hartimin e tij.
BDI me qëndrim se janë të hapura për debat, edhe pse konsiderojnë se heqja e Balancuesit dëmton përfaqësimin e drejtë.
Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev nga ZNAM javën e kaluar tha se nuk duhet të nxitohet me zgjidhjen e re ligjore, por fillimisht të hapet diskutim i gjerë që Gjykata Kushtetuese të mos përfundojë me anulimin edhe të këtij ligji gjithashtu.
