Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka pranuar se po shqyrton mundësinë e ndryshimeve në sistemin e kualifikimeve për Kampionatin Evropian, me qëllim që ato të bëhen më interesante për tifozët.
Duke folur në Samitin e Futbollit të Portugalisë 2025, Ceferin tha se “ndoshta kualifikueset mund të jenë të ndryshme” dhe se UEFA po punon mbi disa ide të reja që mund të zbatohen në të ardhmen. Ai shtoi se mund të mos ketë më ndeshje në formatin aktual, por një sistem më tërheqës për publikun.
Megjithëse nuk pritet që struktura e vetë Euro-s të ndryshojë, UEFA po analizon modele të ngjashme me ato të Ligës së Kombeve apo të Ligës së Kampionëve, të cilat kanë sjellë më shumë duele të forta mes ekipeve të mëdha.
Ndryshimet e mundshme vijnë në një kohë kur është rritur pakënaqësia për shkak të pushimeve të shpeshta ndërkombëtare, të cilat nga viti i ardhshëm do të reduktohen pasi FIFA ka vendosur t’i bashkojë ato të shtatorit dhe tetorit në një periudhë të vetme trejavore.