Kumanova në qendër të vëmendjes, Ahmeti shpall mobilizim për sfidat e ardhshme

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Degës së BDI-së në Kumanovë, ku ka përcjellë mesazhe për unitet, organizim dhe angazhim të vazhdueshëm politik, përcjell FaktiDitor.info.

Ahmeti e cilësoi këtë kuvend si një dëshmi të forcës organizative të partisë dhe të përkushtimit të strukturave në terren, duke theksuar se BDI mbetet e ndërtuar mbi vlera të forta kombëtare dhe politike.

“E kaluara jonë, ku çdo themelues i BDI-së ka lënë gjurmë në historinë kombëtare, është themeli mbi të cilin ndërtohen fitoret tona politike”, u shpreh Ahmeti.

Gjatë fjalës së tij, ai vlerësoi edhe rolin e veteranëve të partisë, duke theksuar se përvoja dhe sakrifica e tyre vazhdojnë të jenë një udhërrëfyes për brezat e rinj që angazhohen në politikë.

Kreu i BDI-së falënderoi gjithashtu nëndegët dhe këshillat vendorë për kontributin e tyre në forcimin e strukturave partiake dhe në ruajtjen e lidhjes së vazhdueshme me qytetarët.

Sipas Ahmetit, uniteti, disiplina organizative dhe puna e përbashkët janë çelësi për përballimin e sfidave politike dhe për arritjen e objektivave të reja.

“Bashkë do të vazhdojmë misionin tonë, më të vendosur se kurrë drejt fitoreve të reja”, deklaroi Ahmeti nga Kumanova, përcjell Faktiditor.info.

‘U prehsh në paqe, hero i UÇK-së’: Sahit Jashari u varros me nderime të larta, nuk mungoi as kurora nga Thaçi