Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të shtunën se disa të dyshuar janë arrestuar dhe se janë gjetur prova materiale në lidhje me një shpërthim ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të vendit një ditë më parë.
“Policia po zhvillon hetime, ka kryer bastisje. Ka arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë dhe fuqinë e ligjit të drejtë të Kosovë”, tha Kurti për gazetarë gjatë një vizite te kanali i dëmtuar në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut.
Kurti, i cili e ka fajësuar Serbinë për përfshirje në këtë sulm, nuk tregoi sa të dyshuar janë arrestuar dhe as nuk dha hollësi për provat që tha janë gjetur.
Më herët të shtunën, Policia e Kosovës tha se është duke kryer bastisje në veri të vendit në lidhje me sulmin ndaj kanalit, i cili furnizon me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Nuk është thënë saktësisht se çfarë eksplozivi është përdorur në sulmin ndaj kanalit, por ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se bëhet fjalë për “eksploziv që nuk është i lehtë për t’u gjetur në tregun e zi”.