Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nga qëndresa dhe sakrifica e familjes Adem Jashari buron liria e Kosovës.
Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, Kurti tha se krismat e Jasharajve në Prekaz zgjuan mbarë kombin dhe e bënë sakrificën e tyre simbol kombëtar.
Kreu i qeverisë tha krahas të qenit ditë nderimi, sot është edhe ditë reflektimi për rrugën që e pret vendin.
“Ne rrjedhën historike të përpjekjeve të gjata politike e shoqërore, për të drejta, barazi dhe dinjitet, kthesa në Prekaz artikuloi qartë aspiratën e popullit të Kosovës për çlirim nga Serbia pushtuese. Epopeja e UCK-së u bë thirrje për mobilizim, bashkim dhe për artikulim të qartë të synimit tonë për shtetësi. Qëndresa e familjes Jashari të Prekazit dhe gjithë atyre që u rreshtuan krah tyre e pas tyre në duhen e çlirimit përbejnë një trashëgimi të thellë politike, kulturore e kombëtare prej secilës buron liria e Kosovës dhe mbi të cilën u ngrit Republika jonë. Krismat e pushkëve në Prekaz u përhapen larg deri tek ndërgjegjja e diplomacisë ndërkombëtare”, ka nënvizuar Kurti.
Kurti tha se përkujtimi i Epopesë së UÇK-së është jo vetëm një ditë nderimi për të rënët, por edhe moment reflektimi për rrugën që ka bërë Kosova dhe për të ardhmen e saj.
“Krahas të qenit një ditë nderimi, sot është edhe ditë reflektimi për rrugën që kemi bërë dhe për atë që na pret. Sot ne jemi shtet i një populli liridashës që gjithmonë është rreshtuar në anën e drejtësisë. Jemi Republika e një shoqërie që ndërton të ardhmen e saj mbi demokracinë dhe ligjin, mbi liritë njerëzore e qytetare si dhe mbi vlerat civilizuese perëndimore. Ne nderojmë sakrificën e Jasharëve, teksa forcojmë Republikën çdo ditë me punë të ndershme e institucione stabile. Kjo është mënyra më e mirë për të kthyer kujtesën në përgjegjësi dhe historinë në udhërrëfyes”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, figura e komandantit legjendar Adem Jashari u bë personifikim i vendosmërisë për të mos pranuar nënshtrimin, ndërsa sakrifica e familjes së tij mbeti mësim i përhershëm për çmimin e lirisë.
“Si në çdo mars jemi këtu bashkë për kujtimin e një prej akteve më të larta të historisë sonë kombëtare, Epopesë së UCK-së. Në ato ditë të përballjes së vullnetit për liri me aparatin shtypjes në Prekaz historia u shkrua me zjarr dhe me gjak. Toka u bë altar i lirisë, e një familje u bë simbol kombëtar. Figura e kryekomandantit, Adem Jashari e lidhur pazgjidhshmërisht me fatinë familjes dhe bashkëluftuarëve tij u bë personifikim i vendosmërisë për të mos e pranuar nënshtrimin. Kjo sakrificë u përjetësua në vetëdijen dhe kujtesën tonë kolektive si mësim i përhershëm se liria paguhet shtrenjtë, se ajo është vlerë e panegociueshme dhe e drejtë e patjetërsueshme”, ka theksuar Kurti.
The post Kurti: Nga lufta e familjes Jashari buron liria e Kosovës appeared first on Alsat.
