Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka njoftuar se liderët e partive politike në Luginën e Preshevës kanë arritur marrëveshje për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Ai tha se shqiptarët në zgjedhjet e tetorit do të marrin pjesë si “Koalicioni Shqiptar”.
Marrëveshja u bë e ditur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me përfaqësuesit e subjekteve politike nga Lugina e Preshevës.
“Pas bisedave dhe përpjekjeve për t’i afruar qëndrimet, vullneti për bashkëpunim mori formën e një zotimi të përbashkët. I falënderoj kryetarët e subjekteve politike: Shaip Kamberin (PVD), Visar Memetin (APN), Nagip Arifin (PD), Agim Sabedinin (PDSH), Shqiprim Musliun (LPD), Sami Salihun (LR), Armend Aliun (AL) dhe Naser Azirin (UDSH), për angazhimin dhe gatishmërinë që, përtej dallimeve, të gjejnë te njëri-tjetri bashkëbiseduesin dhe të ndajnë përgjegjësinë ndaj qytetarëve”, tha Kurti.
Ai falënderoj gjithashtu kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepin; kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinanin; kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajazitin; përfaqësuesin nga Medvegja, Bajram Mustafa e Arben Feratin; dhe përfaqësuesen nga Pazari i Ri, Amina Nurën, për kontributin e tyre në këtë përpjekje të përbashkët. Sipas tij marrëveshjet marrin jetë përmes besimit që ndërtojmë, fjalës që mbajmë dhe punës që bëjmë së bashku. Përkushtimi për zbatimin e tyre është ai që u jep vlerë me kalimin e kohës.
“Bashkimi politik te Koalicioni Shqiptar sigurisht që nuk është i mjaftueshëm. Asimetria e të drejtave është po ashtu padrejtësi. Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse. Përfaqësimi i garantuar është një parim që duhet të vlejë si në Kosovë ashtu edhe në fqiun tonë verior, me të njëjtin respekt për barazinë dhe të drejtat e tyre”, shtoi Kurti.
Sipas Kurtit, të drejtat dhe identiteti janë themele të këtij angazhimi që e shoqërojnë përditshmërinë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ato mishërohen me mbrojtjen nga pasivizimi diskriminues i adresave, përfaqësimi i drejtë në institucione publike si dhe zhvillimi ekonomik. Gjuha e kultura, simbolet dhe kujtesa jonë janë pjesë e qenies sonë dhe e përgjegjësisë që kemi ndaj brezave që vijnë. Ai tha, brenda secilës prej këtyre kërkesave, jeton një shpresë njerëzore, për të punuar, për të krijuar familje dhe për të ndërtuar një jetë me dinjitet në vendlindje.
Kryeministri i Kosovës deklaroi se Republika e Kosovës do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke theksuar se angazhimi do të fokusohet në të drejtat, identitetin dhe mirëqenien e tyre.
Ai theksoi se pavarësisht vështirësive dhe ndasive që e kanë shoqëruar këtë rrugë, besojmë se përgjegjësia e përbashkët mund të shndërrohet në punë të dobishme për qytetarët.
“Përfaqësimi i denjë kërkon këmbëngulje përballë padrejtësive, maturi në vendimmarrje dhe përkushtim ndaj nevojave të qytetarëve”, u shpreh Kurti.
Kryeministri i Kosovës deklaroi se Republika e Kosovës do të vazhdojë t’u qëndrojë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke theksuar se angazhimi do të fokusohet në të drejtat për barazi, për dinjitet dhe për mundësinë që secili e secila ta ndërtojë të ardhmen në vendlindjen e tyre./Alsat.mk.
The post Kurti njofton për marrëveshjen e partive shqiptare në Luginën e Preshevës për Zgjedhjet Parlamentare në Serbi appeared first on Alsat.
