Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk ka rrugë apo mënyrë tjetër përveçse zgjedhjeve të reja pasi nuk u arrit marrëveshje koalicioni mes partive për formimin e qeverisë së re, përcjell TV21. Kurti tha se u është bërë ftesë LDK-së dhe NISMËS, por që kanë refuzuar ofertën.
“I bëmë ftesë dy herë LDK-së dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm më NISMËN. LDK refuzon kategorikisht një Qeveri të udhëhequr nga unë kurse NISMA përfundimisht nuk deshi të jetë në një qeveri që e drejtoj unë. Po të rezononin ndryshe këto dy parti dhe të pranon ofertën tonë për bashkëpunim, ne jo vetëm që do të kishim numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë e re, por edhe do të mund t’i jepnim zgjidhje çështjes së zgjedhjes së presidentit e cila na pret pas katër muajve”, tha Kurti.
Kurti falënderoi të gjithë deputetët që dhanë përkrahje për “Kurti 3”, ndërkohë tha se do të vazhdojnë të jenë qeveri në detyrë.
“Do të jemi qeveri në detyrë meqë dje nuk arritëm të bëhemi qeveri fuqimplotë”, deklaroi Kurti. /tv21

