Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj stërvitjeve të ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, duke i cilësuar ato si provokim dhe përpjekje për të cenuar integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit. Ai deklaroi se institucionet e sigurisë janë të përgatitura dhe se kufiri i Kosovës është i mbrojtur në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

“Ky është një provokim i Serbisë, e cila synon ta cenojë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës sonë. Bëhet fjalë për njësi të cilat e kanë trajnuar kryekriminelin dhe kryeterroristin Milan Radoiçiq në Banjskë të Zveçanit për vrasjen e policit të Kosovës, heroit Afrim Bunjaku. Po në të njëjtën kohë tregojnë pafuqinë e tyre, sepse në Kosovë nuk ka më struktura ilegale që mund të cenojnë stabilitetin institucional, integritetin territorial, sovranitetin shtetëror, paqen dhe sigurinë për të gjithë. Nga kjo pafuqi e tyre, që të bëjnë diçka brenda Kosovës, tash kanë shkuar aty rrotull kufirit dhe përpiqen po demonstrojnë forcën. Është Provokim”, tha Kurti.

Kurti theksoi se lidhur me këtë çështje, qeveria e Kosovës ka informuar faktorët ndërkombëtarë dhe paralajmëroi diskutim të saj në mbledhjen e Qeverisë.

“Forcat tona janë të përgatitura. Kufiri ynë është i mbrojtur nga Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti KFOR-i. Ky veprim i Serbisë tregon agresivitet dhe destruktivitet, por gjithashtu reflekton frikën dhe pafuqinë e tyre, sepse Republika e Kosovës është më e fortë se kurrë dhe nuk mund të ndalet”, shtoi Kurti.