Reagimi për avarinë në gypin e kompanisë Bullmak 2016, miniera Toranica, me çka materie e rrezikshme është derdhur në Kriva Rekë, nuk ka të ndalur. Tani po merr edhe konotacion politik. VMRO-DPMNE kërkon që kryetari i Kriva Pallankës të përgjigjet penalisht për përhapje të panikut për shkak se ndotja e ujit nuk është në atë nivel siç pohon ai.

“Analizat e publikuara nga Inspektorati shtetëror i mjedisit jetësor  tregojnë të kundërtën dhe demaskojnë përpjekjen e kalbur të Mitovskit për të manipuluar. Është e mjerë se si Mitovski nuk hezitoi të manipulojë temën më të ndjeshme për qytetarët – sigurinë e ujit dhe tokës, vetëm për të përhapur panik dhe për të bërë ndonjë pikë të imtë politike para zgjedhjeve. I bëjmë thirrje Prokurorisë publike që ta kuptojë gjendjen reale dhe të bëjë kallëzim penal kundër Sashko Mitovskit, për përhapje të panikut”, tha Emill Spasovski, kryetar I VMRO-DPMNE-së.

Megjithatë, sipas kryetarit Mitovski, në ujë është konstatuar prania e kadmiumit, cianidit, plumbit dhe metaleve të tjera të rrezikshme mbi nivelin e lejuar.

“Është krejtësisht e paqartë, si pretendimet e Bullmak 2016, se ndotja nuk është nga rrjedhja dhe shkaku i aksidentit është pikërisht nga gypi në minierën e Toranicës. Sipas lejes ekologjike A të cilën e posedon Bullmak 2016 dhe miniera e Toranicës, në procesin e tyre përdorin pikërisht kadium, zink, plumb, cianid dhe komponime të tjera që gjenden në Kriva Rekë menjëherë pas aksidentit”, theksoi Sasho Mitovski, kryetar i Kriva Pallankës.

Reagim ka pasur edhe nga Inspektorati shtetëror i mjedisit jetësor, përkatësisht nga drejtoresha Ivana Ginovaska, e cila thotë se nuk janë të sakta informacionet se uji në lumë ka qenë aq i ndotur sa ka pasur murtajë të peshkut. Siç dihet, ky inspektorat ka vendosur një gjobë prej 200 mijë eurosh ndaj kompanisë Bulmak 2016 për incidentin ekologjik.

Megjithatë, nisma O2 publikoi analiza nga Qendra për Shëndetin Publik. Sipas një shembulli të marrë nga klubi i peshkimit Mrena nga Kriva Reka në afërsi të fshatit Zhidillovë-vendpeshkimi Dabo në ditën e incidentit, përqendrimi i substancave të suspenduara ishte 263 herë më i lartë se maksimumi i lejuar. Uji është për 17 herë më i turbullt se lartësia e lejuar, gjë që e vendos ujin në KLASËN E PESTË, sipas klasifikimit të vjetër të ujit, që do të thotë se uji është shumë i ndotur dhe NUK MUND të përdoret për ASNJË qëllim, dhe përqendrimi i substancave të dëmshme tejkalon nivelet e toksicitetit akut për jetën ujore.

Prokuroria themelore publike në Kumanovë njoftoi se tashmë është hapur rast për Kriva Rekën dhe pretendimet e komunës se ajo është e ndotur pas avarisë në minierën e Toranicës. Por, nga prokuroria bëjnë të ditur se ende nuk kanë marrë kallëzim nga komuna.