LSDM akuzoi koalicionin VMRO-ZNAM se është “kolektivi më i madh bullgarofil” në historinë e Maqedonisë, duke pretenduar se funksionarë të pushtetit dhe familjarë të tyre posedojnë pasaporta bullgare ndërsa publikisht paraqiten si patriotë. Nga LSDM thonë se Qeveria po e mban të bllokuar rrugën evropiane të vendit duke refuzuar përfshirjen e pakicave në Kushtetutë.
“Tani ata flasin për “bullgarofilë” dhe na akuzojnë ne në LSDM se jemi tradhtarë. Tradhtarët e vërtetë të interesave kombëtare maqedonase janë në Qeverinë e Mickoskit. Kolektivi më i madh bullgarofil në historinë e Maqedonisë sot gjendet pikërisht në radhët e koalicionit tender VMRO-ZNAM. Gjysma e këtij koalicioni tender ka pasaporta bullgare. Ministra, deputetë, drejtorë, funksionarë – të gjithë me pasaporta të kuqe të BE-së, ndërsa shtiren si patriotë të rremë para popullit”, tha Bogdanka Kuzeska.
Sipas opozitës, përfshirja e pakicave është kusht për vazhdimin e integrimeve evropiane, ndërsa akuzojnë VMRO-në për izolim, propagandë dhe thellim të krizës politike në vend.
E partia në pushtet VMRO-DPMNE akuzon liderin e LSDM, Venko Filipçe, se mbron qëndrime të afërta me Bullgarinë dhe mbështet ndryshimet kushtetuese që, sipas tyre, rrezikojnë identitetin, gjuhën dhe historinë maqedonase.
“Dhe kur menduam se nuk mund të shkojë më poshtë, Filipçe përsëri thotë, pse të mos i fusim bullgarët në kushtetutë, kur kjo nuk paraqet kurrfarë rreziku, e as nuk e rrezikon identitetin tonë. E gjithë kjo, derisa ministrja bullgare Petrova Çamova thotë se jemi “veriomaqedonas”. Filipçe vazhdon të mbetet politikani i vetëm në Maqedoni, i cili është më i zëshmi për ndryshimet kushtetuese”, tha Valentin Manasievski.
Debati për ndryshimet kushtetuese dhe integrimin evropian ka ashpërsuar përplasjet mes LSDM dhe VMRO-DPMNE kohëve të fundit, me akuza të ndërsjella për manipulim politik, bllokim të reformave dhe favorizim të interesave bullgare në procesin eurointegrues të vendit.
