Real Madridi ka shënuar një fitore të rëndësishme ndaj Juventusit me rezultat 1-0 në “Santiago Bernabeu”, në raundin e tretë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.
Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi Jude Bellingham në minutën e 57-të, duke i dhënë skuadrës së Xabi Alonsos tre pikë të vlefshme në garën për kualifikim.
Një nga më të spikaturit në këtë takim ishte Arda Güler, i cili regjistroi 96% saktësi në pasime dhe u tregua vendimtar në krijimin e aksioneve sulmuese të “Los Blancos”.
Në fund të ndeshjes, talenti turk u shpall “Lojtari i Ndeshjes” nga UEFA, por reagimi i tij i sinqertë u bë menjëherë viral. Kur u thirr për të marrë trofeun, Güler, i befasuar, tha me habi: “Kush? Unë?”. Momenti u filmua nga zyrtarët e UEFA-s dhe u publikua në rrjetet sociale, ku mori mijëra shpërndarje dhe komente pozitive.
Ky është çmimi i parë “Lojtari i Ndeshjes” për Gülerin në Ligën e Kampionëve, i cili po fiton gjithnjë e më shumë besimin e trajnerit Xabi Alonso te kampionët e Evropës.
The post “Kush? Unë?” – momenti viral me Arda Güler pas ndeshjes Real Madrid – Juventus appeared first on Alsat.