Gazetar: Zekirija Haxhiu

Ndryshimet ligjore për punë të brendshme dhe polici kaluan të gjitha filtrat në komisione dhe në seancën e radhës mund të vendosen në rend dite për miratim. Në komisionin juridiko ligjvënës, u konstatuan amendamentet që ishin dorëzuar paraprakisht në lexim të dytë.

Të gjitha amendamentet e opozitës u refuzuan ndërsa kaluan vetëm ato të propozuara nga shumica.  Vërejtjet më të mëdha nga LSDM-ja ishin heqja e nenit me të cilin fshihen qendrat për punë kufitare, si dhe stacionet policore për kontrolle dhe mbikëqyrje kufitare. Sipas ish ministrit për punë të brendshme, tani deputet i LSDM-së, Oliver Spasovski, kjo qasje është në kundërshtim me vendosjen shumëvjeçare të policisë kufitare si pjesë e specializuar dhe autonome e sistemit të sigurisë, funksionimi i së cilës është kyç për përmbushjen e standardeve evropiane për menaxhim integral me kufijtë.

Thotë se pikërisht qendrat rajonale për punë kufitare sigurojnë reagim të shpejtë dhe efikas në kontrollet kufitare, menaxhim me migrimet ilegale, tregti me njerëz dhe kërcënime të tjera kufitare. Spasovski propozoi edhe vendosjen e testimit të integritetit profesional të të punësuarve.

Vërejtje nga opozita ka edhe në ligjin për polici, ku parashihet fshirja e kushtit që drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike patjetër të ketë mbaruar studimet nga fusha e sigurisë. Si vërejtje tjetër ishte heqja e kushtit që për t’u emëruar shef i sektorit për punë të brendshme, duhet të kesh së paku gjashtë vite përvojë pune.

Megjithatë të gjitha këto akuza i pati përgënjeshtruar ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski, i cili i quajti si tendencioze dhe për përfitime politike. Sipas Toshkovskit, neni 63 i ligjit për policinë sqaron se personi pa përvojë pune mund të vendoset vetëm në pozitat më të ulëta si “zyrtar i ri ekzekutiv”.

Që një person të avancohet në kategorinë “zyrtar udhëheqës”, duhet të kenë të përfunduar trajnim dhe test për udhëheqje. Ky test është me karakter eliminator dhe do të mundësojë selektim të vërtetë sipas kapaciteteve e jo sipas vullnetit politik, pati sqaruar Toshkovski./ Alsat.mk

The post Kuvend/ Pritet të vendoset në rend dite ndryshimet në ligjin për punë të brendshme dhe polici  appeared first on Alsat.