Gazetar: Mihajllo Donev
Institucioni ligjvënës konstatoi dorëheqjen e gjykatëses kushtetuese Jadranka Daboviq-Anastasovska, të paraqitur dje me shpjegim të shkurtër se vendimin e kishte marrë për arsye familjare dhe shëndetësore. Megjithëse kishte mundësi, Daboviq-Anastasovska vendosi të mos paraqitet në seancën e sotme ligjvënëse për të shpjeguar arsyet e tërheqjes.
“Jam i njoftuar se gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dr. Jadranka Daboviq Anastasovska, nuk do ta arsyetojë dorëheqjen në seancën e Kuvendit. Prandaj, konstatoj se në bazë të nenit 121 paragrafi 2 të Rregullores së Kuvendit, dr. Jadranka Daboviq Anastasovskës i ndërpritet funksioni gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përfundim me 31.12.2025”, deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Zëvendësimin për Daboviq-Anastasovska duhet ta zgjedhë pikërisht Kuvendi, por prej atje nuk iu përgjigjën pyetjeve tona se kur do të shpallet konkurs për zgjedhjen e gjykatësit të ri kushtetues. Ndërkohë, në Gjykatën Kushtetuese ende pritet zëvendësimi për gjykatësen Elizabeta Dukovska, e cila me vendim të Gjykatës Administrative më herët këtë vit u shkarkua nga funksioni gjykatëse në Kushtetuese. Vendin e saj duhet ta plotësojë një gjykatës me propozim të Këshillit gjyqësor kurse kreu i Këshillit në deklaratë për mediat tha se shpreson që propozimi do të dorëzohet deri në fund të vitit.
“Patëm disa mbledhje pune në Këshillin gjyqësor, patëm mendime të ndryshme, dhe mendoj se jemi para harmonizimit të atyre mendimeve të ndryshme para se ta vendosim si pikë në rendin e ditës. Kishte dallime në kuptimin nëse të votojmë përsëri të njëjtët kandidatë, duke marrë parasysh vendimin e Gjykatës administrative. Unë thashë deri në mes të dhjetorit, por ja të shpresojmë që deri në fund të vitit, Këshilli gjyqësor do të ketë propozim”, tha Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit gjyqësor.
Kjo do të thotë se nga 1 janari Gjykata Kushtetuese do të punojë me shtatë, në vend të nëntë gjykatësve siç e kërkon ligji, nëse ndërkohë Kuvendi nuk zgjedh zëvendësim për Daboviq-Anastasovska. Gjykata Kushtetuese që nga maji punon me 8 gjykatës pasi Gjykata Administrative vlerësoi se zgjedhja e Dukovskës për gjykatëse kushtetuese para dy viteve kishte qenë e parregullt, përkatësisht se anëtarët e Këshillit gjyqësor gjatë zgjedhjes së Dukovskës as nuk diskutuan, as nuk kanë parë nëse kishte gjykatës më cilësorë se kandidati që e kishin propozuar. /Alsat.mk
The post Kuvendi konstatoi dorëheqjen e gjykatëses Jadranka Daboviq-Anastasovskës appeared first on Alsat.
