
Shkup, 7 nëntor – Deri në fillim të javës së ardhshme do të jetë e kompletuar përbërja parlamentare, pas zgjedhjes së disa deputetëve për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të mbajtura më 19 tetor dhe 2 nëntor. Komisioni Parlamentar për Çështje të Rregullores dhe të Mandateve e Imunitetit në seancën e sotme konstatoi mandatet e tre deputetëve të rinj. Deputetët e rinj janë: Aleksandra Nikollovska, Martin Stojanovski dhe Mito Andonov. Ata vijnë në vend të deputetëve që u zgjodhën kryetarë komunash: Beti Stamenkoska Trajkovska – Kisella Vodë, Jane Micevski-Sopishtë dhe Dejan Prodanoski – Prilep.
“Komisioni Shtetëror Zgjedhor, mbi bazën e procedurës së zhvilluar, konstaton se deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për pjesën e mbetur të mandatit, në përputhje me nenin 153 paragrafi 1 dhe nenin 153-a paragrafi 1 të Kodit Zgjedhor, bëhen Aleksandra Nikollovska nga lista e kandidatëve për deputetë në Njësinë Zgjedhore 1, Martin Stojanovski nga Njësia Zgjedhore 1 dhe Mito Andonov nga Njësia Zgjedhore 4. Komisioni Shtetëror Zgjedhor, sipas nenit 31 paragrafi 2 pika 23 të Kodit Zgjedhor, lëshoi vërtetimet për deputetë të zgjedhur në Kuvend për Aleksandra Nikollovskën, Martin Stojanovskin dhe Mito Andonovin. KShZ-ja, në seancën e mbajtur më 03.11.2025, e miratoi Raportin dhe vendosi që ai t’i dorëzohet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.”, – deklaroi nënkryetari i KShZ-së, Abdush Demiri.
Verifikimi i mandateve të tre deputetëve të rinj pritet të bëhet në seancën e parë të ardhshme plenare të Kuvendit, e cila, siç informoi kryetari Afrim Gashi në brifingun javor me gazetarët, pritet të mbahet më 10 ose 11 nëntor.

