Ndryshimet kyçe janë: seanca publike në procedurën për shkarkimin e kryetarit të Këshillit, saktësimi i kritereve për zgjedhjen e “juristit të shquar”, debat publik gjatë zgjedhjes së kandidatëve për anëtarë jo-gjyqtarë për transparencë më të madhe, forcimi i kritereve për zgjedhje, përgjegjësi dhe shkarkim të anëtarëve nga radhët e gjyqtarëve dhe risi të tjera që janë në përputhje me rekomandimet e BE-së.

Pushteti me lavdërime, opozita me dyshime për zgjidhjen e re ligjore.

“Me këtë zgjidhje ligjore të propozuar rregullohen të gjitha çështjet kyçe: zgjedhja, përgjegjësia, mandati i anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, mënyra e punës dhe e vendimmarrjes, si dhe zgjedhja, vlerësimi dhe përgjegjësia e gjyqtarëve dhe kryetarëve të gjykatave. Në zgjidhjen ligjore të propozuar është i përcaktuar qartë edhe parimi i neutralitetit politik, përkatësisht anëtarët e Këshillit Gjyqësor nuk guxojnë të jenë anëtarë të partive politike dhe sipas mendimit tim kjo është themel dhe bazë për një gjyqësor të pavarur”, tha Dragana Arsova – deputete nga VMRO-DPMNE.

“Sa i përket procesit të zgjedhjes, ky ligj nuk përmirëson shumë gjëra në procesin e zgjedhjes, sërish nuk është ajo procedurë për të cilën edhe para meje folën kolegët, ajo që përdoret për zgjedhjen e anëtarëve të KSHPK-së dhe përsëri fjalën e fundit në procesin e zgjedhjes e ka pikërisht Komisioni për zgjedhje dhe emërime në Kuvend, kështu që nuk shoh se si zgjedhja do të jetë e pavarur dhe për më tepër nuk ka as listë renditjeje, por ka listë kandidatësh që sërish lë hapësirë që Komisioni të zgjedhë dhe kandidati i pesëmbëdhjetë të jetë i pari dhe të hyjë si anëtar i Këshillit Gjyqësor”, u shpreh Monika Zajkova – deputete nga PLD.

Ligji i ri parashikon kritere më të rrepta për anëtarët e Këshillit Gjyqësor nga radhët e juristëve të shquar, të propozuar nga Kuvendi dhe Presidenti i shtetit. Kërkohet së paku 15 vjet përvojë pune në profesionin juridik, së paku tre rekomandime nga profesor universitar, avokat ose gjyqtar kushtetues.

Ndërkohë, në Këshillin Gjyqësor pritet hyrja e edhe dy anëtarëve të rinj si juristë të shquar, pasi përfunduan mandatet e Vesna Damevës dhe Milazim Mustafës. Presidentja e shtetit duhet të propozojë pasardhësit e tyre, pasi më herët paralajmëroi se do ta presë ligjin e ri me kritere të ashpërsuara për të nominuar anëtarë për Këshillin Gjyqësor.