Gazetare: Fatlume Dervishi

Deputetët me shumicë prej 84 votash mbështetën nismën e pushtetit për formimin e Komisionit anketues për të gjitha tragjeditë në vend. Komisioni do të diskutojë për të gjetur përgjegjësinë politike për Koçanin, Spitalin Modular, tragjedinë e Durmo Turs si dhe atë të Besa Trans.

“Cilatdo që të jenë gjetjet e komisionit do të dërgohen te qeveria dhe te prokuroria publike. Gjetjet mund të ndihmojnë në gjetjen e përgjegjësisë politike, gjë për të cilën Kuvendi është kompetent, pore dhe për përgjegjësi penale për të cilën prokuroria është kompetente. Gjithashtu propozojmë që kryetari dhe nënkryetari i komisionit të jenë nga radhët e opozitës”, tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

“Kam një dilemë personale nëse duhet të flitet për këto tema deri sa zgjasin procedurat gjyqësore por kjo është dilema ime personale dhe këtë u mundova ta tejkaloj sepse e pashë që shoqëria dëshiron që të flitet për këto tema. Kështu që këto tema nuk guxojmë t’i shmangim”, u shpreh Boban Karapejovski, ZNAM.

Kuvendi hodhi poshtë dhe nuk pranoi nismën e opozitës për Komision të veçantë anketues vetëm për tragjedinë e Koçanit. Megjithatë një pjesë e opozitës votoi edhe për nismën e parë, për hetimin e të gjitha tragjedive.

“Ky është qëndrimi ose kërkesa e shumicës së qytetarëve në shtet. Nuk është vetëm kërkesë e familjarëve të viktimave dhe banorëve të Koçanit por e secilit person me vetëdije të lartë. E ka për detyrë të vërtetojë kronologjinë e ngjarjeve, shkeljet eventuale dhe të gjitha rrethanat”, theksoi Oliver Spasovski, LSDM.

“Në rastin e Koçanit tani ka filluar procesi gjyqësor. Për rastet e tjera ka dhe procedura të ëprfunduara gjzqësore. Po ajo që është më e rëndësishme, që kur ndodhi tragjedia më e madhe në vendin tonë, nuk ka pasur përgjegjësi morale, nuk ka pasur vetëgjykim nga kjo qeveri”, tha Blerim Bexheti, Fronti Evropian.

Komisioni anketues do të përbëhet nga 15 anëtarë dhe zëvendësit e tyre, nga të cilët: shtatë anëtarë do të propozohen nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, dy nga grupi parlamentar i LSDM-së, dy anëtarë nga grupi parlamentar i Frontit Evropian, dy anëtarë nga grupi parlamentar VLEN , një anëtar nga grupi parlamentar i ZNAM-it dhe një anëtar nga grupi parlamentar i Të Majtës. /Alsat.mk

The post Kuvendi pranoi formimin e komisionit anketues për të gjitha tragjeditë appeared first on Alsat.