Gazetar: Zekirija Haxhiu

Ndryshimet në ligjin për të huajt nuk pritet të lehtësojnë procedurat e marrjes së lejes së qëndrimit nëse nuk janë punëtorë pjesë e kompanive që realizojnë projekte strategjike. Ata që paraqiten si azilantë nëpër qendrat për pranim in e të huajve, derisa të marrin statusin e azilantit, nuk kanë të drejtë pune.

Në Qendrën e pranimit në Gazibabë për momentin qëndrojnë gjashtë persona të huaj apo migrantë. Një është nga Pakistani, një nga Shqipëria dhe katër nga Turqia. Nga fillimi i vitit, gjithsej 117 persona kanë kërkuar të drejtën për azil.

Nga Ministria e Brendshme thonë se 53 prej tyre kanë dorëzuar kërkesë në qendrën e pranimit për të huaj.

“Sipas rregullave ligjore, kërkuesit e azilit nuk mund të punojnë menjëherë pas dorëzimit të kërkesës për azil, por pasi procedura të përfundojë dhe pasi të marrin statusin e migrantit apo mbrojtje subsidiare, atëherë kanë. Ata marrin numër të posaçëm amë me të cilin mund të paraqiten në tregun e punës njësoj si qytetarët e Maqedonisë”, thonë nga MPB.

Pas miratimit të ligjit për të huaj në Kuvend, punëtorët e huaj kërkesën për leje qëndrimi e bëjnë në Ministrinë e Brendshme por për të punuar, duhet fillimisht Agjencia e Punësimit të japë mendim, varësisht nevojave në tregun e punës, procedurë kjo e komplikuar dhe që merr kohë. Siç njoftoi ministri i brendshëm Pançe Toshkovski, përjashtim do të bëhet vetëm për të huajt që do të angazhohen në projekte strategjike. Leje qëndrimi për ta do të sigurohet pa mendim nga Agjencia e Punësimit. Kusht i vetëm është që të kenë vërtetim nga Ministria e Ekonomisë se i punësuari i huaj është i angazhuar te një subjekt juridik me statusin e partnerit strategjik. Procedura për lëshimin e lejeve të qëndrimit të përkohshëm do të përshpejtohet, dhe qëndrimi i punëtorëve të huaj do të zgjatet deri në një vit me një garanci nga punëdhënësi./Alsat.mk

The post Kuvendi pritet të miratojë ndryshimet në ligjin për të huajt appeared first on Alsat.