Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami në deklaratë për media bëri të ditur se Kuvendi Qendror i Lëvizjes Besa me shumicë votash miratoi vendimin për shkarkimin e Kryesisë Qendrore të Lëvizjes Besa. Siç tha Kasami Kuvendi e ka autorizuar të vijojë bisedimet për të ardhmen e VLEN-it, duke i dhënë mbështetje bashkimit në një subjekt të vetëm.

“Kuvendi Qendror i Lëvizjes Besa me shumicë votash miratoi vendimin për shkarkimin e Kryesisë Qendrore të Lëvizjes Besa, në vazhdën e procesit të filluar për bashkimin e VLEN-it në një subjekt të vetëm.  Kuvendi i Lëvizjes vlerësoi se duhet të hapet rruga për strukturimin e VLEN-it dhe e solli këtë vendim bazuar në moratoriumin e aktiviteteve partiake nga subjektet që përbëjnë VLEN-in. Me këtë rast, Kuvendi autorizoi kryetarin Bilall Kasami të vijojë bisedimet për të ardhmen e VLEN-it, duke i dhënë mbështetje bashkimit në një subjekt të vetëm, me një zgjidhje që respekton parimin e drejtësisë dhe dëgjon zërin dhe vullnetin e votuesit të VLEN-it dhe gjithë shqiptarëve”, deklaroi Bilall Kasami – kryetar i Lëvizjes Besa.