Një ngjarje e rëndë ka tronditur Austrinë, ku një burrë 88-vjeçar dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij 89-vjeçare dhe vajzën 61-vjeçare, përpara se më pas të vetëvritej në një parking pranë një restoranti në zonën e Linz-Urfahr.

Sipas mediave austriake, incidenti ndodhi të enjten rreth orës 13:30 dhe shkaktoi panik te qytetarët që ndodheshin në afërsi. Dëshmitarët thanë se u dëgjuan disa të shtëna njëra pas tjetrës, ndërsa klientët e restorantit mbetën të bllokuar për një kohë derisa policia siguroi zonën.

Autoritetet konfirmuan se nuk ekziston më rrezik për publikun, ndërsa arma e dyshuar e krimit është gjetur në parkingun ku ndodhi tragjedia.

Hetuesit po punojnë për të zbardhur motivin, por mediat lokale raportojnë se në qendër të konfliktit mund të ketë qenë një mosmarrëveshje për trashëgiminë familjare. Në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një letër vetëvrasjeje, e cila pritet të ndihmojë hetimet.

Policia ka izoluar të gjithë zonën, duke vendosur tenda dhe shirita sigurie, ndërsa operacioni hetimor vazhdon ende. Banorët e zonës përshkruan skena të frikshme dhe momente paniku menjëherë pas të shtënave.

Sipas raportimeve, vizitorëve të restorantit iu kërkua të largoheshin në këmbë, pasi automjetet e tyre mbetën të bllokuara në parking gjatë hetimeve.