Gazetar: Suad Bajrami

BDI e përshëndet largimin e ASH-së së Ziadin Selës nga koalicioni. Deputeti Blerim Bexheti, thekson që kanë bashkëpunim dhe komunikim të shkëlqyer, megjithatë e respektojnë vendimin e tyre. Lidhur me bashkëpunimin në nivel lokal, Bexheti thotë se do t’i bashkërendisin aktivitetet si opozitë.

“Ne kemi pasur dhe kemi një bashkëpunim dhe komunikim të shkëlqyer. Ata dëshirojnë dhe kanë vendosur që t’i kthehen vetvetes, të cilën e përshëndesim, e përkrahim që bashkërisht të gjitha subjektet opozitare, të gjitha këto zhvillime që ndodhin në shtet që bashkërisht edhe ta rikthejmë situatën në normalitet. Nëse keni dëgjuar zotëri Selën dhe të tjerët, normalisht që grupet e këshilltarëve do të vazhdojnë t’i bashkërendisin aktivitetet në të gjitha komunat”, tha Blerim Bexheti, Deputet i BDI-së.

Për prishjen e koalicionit Sela – Ahmeti, sot kanë reaguar edhe nga VLEN. Sipas tyre, AKI si koalicion pa kauzë tanimë po shpërbëhet.

“Koalicioni AKI, i ndërtuar pa kauzë, pa vizion dhe pa orientim të qartë politik, po hyn në fazën e shpërbërjes së pashmangshme. Ajo që ndodhi dje me largimin e ASH-së së Ziadin Selës dhe largimi i Krenar Llogës nga ky koalicion tregojnë qartë krizën e thellë të brendshme, mungesën e kohezionit dhe dështimin për të ndërtuar një ofertë politike të qëndrueshme”, thanë nga VLEN.

Ndërkohë Frontin paraprakisht e kanë braktisur edhe deputeti i PDSH-së, Menduh Thaçi, deputeti Bejxhan Iljas, ndërsa partia e Arjanit Hoxhës nuk garoi në zgjedhjet lokale në kuadër të koalicionit.

Me këtë rast, përbërja e Grupit Parlamentar të Frontit Evropian mbetet me 10 deputetë nga BDI, 1 nga Lëvizja Populli, 1 nga Lëvizja e Turqve, ndërsa në bashkëpunim joformal janë edhe 3 deputetët e ASH-së së Taravarit./ Alsat.mk

The post Largimi i Selës/ BDI e përshëndet vendimi – VLEN: AKI në fazë të shpërbërjes appeared first on Alsat.