Rusia po e lë të hapur mundësinë që sistemet e mbrojtjes ajrore S-400, të blera nga Turqia, të transferohen në një vend tjetër, por vetëm me miratimin e Moskës dhe nëse plotësohen disa kushte.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u shpreh për këtë çështje gjatë një takimi me gazetarë në Nju Jork, në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

I pyetur nëse Rusia do të pranonte transferimin e sistemeve S-400 nga Turqia te një shtet i tretë, Lavrov tha se Moska do t’i shqyrtojë propozimet, duke lënë të hapur këtë mundësi.

“Ne do t’i shqyrtojmë të gjitha ofertat. Nuk do të komentoj për momentin, por po, është e mundur”, deklaroi Lavrov.

Megjithatë, ministri rus theksoi se Turqia nuk mund t’i transferojë sistemet pa marrë më parë miratimin e Rusisë.

Sipas Lavrovit, një nga kushtet kryesore është që vendi që do të marrë sistemet S-400 të ketë marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe të japë garanci se nuk do t’ia transferojë ato më tej një shteti tjetër.

Moska kërkon kështu të shmangë mundësinë që sistemet ruse të përfundojnë në duart e një vendi tjetër pa pëlqimin e saj. Lavrov përmendi raste të mëparshme ku armë të blera nga vende të treta, sipas tij, më pas kanë përfunduar në Ukrainë.