Komuna e Strumicës e ka braktisur Bashkësinë e Njësiteve të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL). Kryetari Kostadin Kostadinov këtë e njoftoi në një postim në Fejsbuk, ku theksoi se do të përgatis edhe shkrim zyrtar për BNJVL-në.

“BNJVL nuk e meriton participimin e Strumicës. E braktisim BNJVL-në me përgjegjësi të plotë, tentativa për bashkëpunim, marrëdhënie partnere, mjaft është. Filozofi pa program, dëm për të cilin paguajnë qytetarët. Ky është një nga skandalet më të mëdhenj në Evropë për shkelje të të drejtave të njeriut, për të drejta dhe liri kushtetuese. Për Strumicën time, nuk ka pasur kompromise, nuk ka dhe as nuk do të ketë! Ju uroj fat”, shkroi Kostandinov.

Këtë pritet ta bëjë edhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski. Ai dje në mbrëmje njoftoi se do t’i bashkohet kryetarit Kostadinov në njoftimin për largim nga BNJVL-ja.

“Dhe unë do t’i bashkohem Komunës së Strumicës. Edhe ashtu një kohë të gjatë po përgatitem që të largohem nga BNJVL-ja. Le të bëjnë aheng partiak atje”, thotë Jakimovski.