Brezat e rinj me shumë gjasa më nuk do të kenë në listën e leximit librat që i kanë lexuar prindërit e tyre.
Kjo pasi Ministria e Arsimit dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit kanë propozuar rishikimin e disa prej lektyrave në ciklin fillor, me synimin modernizimin e programit mësimor mbi përmbajtjen dhe vlerat që duhet t’u përcillen nxënësve.
Zëvendësministri i arsimit Lulzim Aliu siguron se nuk do të largohen lektyrat klasike, por do t’u hapin rrugë autorëve të rinj dhe temave që lidhen me jetën bashkëkohore.
“Ne mund të flasim për gjinitë të cilat duhet të përfshihen për shkak se janë pjesë të programeve, qoftë gjinia e poezisë, e prozës, e dramatikës dhe me aq sa e kam vërejtur janë të përfshira këto gjini dhe ato që do të japin propozime ose komisionin që do ta formojë Byroja për Zhvillimin e Arsimit, dhe që në fund do të sjellë atë listën finale të lektyrave do të udhëhiqen nga kjo që do të
përfshihen të gjitha gjinitë letrare”, tha Lulzim Aliu – zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës.Profesoresha në katedrën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë shqipe, Ajten Qamili, konsideron se librat që duhen rifreskuar janë ato që ajo i quan me “frymën komuniste”, ndërsa këto që lidhen me letërsinë shqiptare të mbeten për t’u lidhur me kohën moderne.
“Çfarë duhet të bëhet?! Dhe ashtu ka qenë praktikë e mëparshme e komisioneve, që është parë edhe në aspekt paralel letërsi botërore dhe të njëjtat letërsi që janë aktuale në të gjithë botën, por edhe që janë të përkthyera në mënyrën më të mirë të mundshme, në gjuhën shqipe, turqisht, në maqedonisht, sepse ashtu shkojnë ato, sepse ato që janë të huaja paralelisht përdoren në të tria gjuhët, ndërsa këta që janë të letërsisë sonë është mirë që të mbeten”, shtoi Ajten Qamili – Profesoreshë E Gjuhës Shqipe Dhe Letërsisë.
Se kur do të zëvendësohen lektyrat e vjetra me të rejat ende nuk dihet saktësisht. Kjo pasi këtij procesi do t’i paraprijë një debat publik, i cili duhet të përfundojë në fund të nëntorit.

