Te Polonia kanë besim se do të shkojnë në Botëror. Ky optimizëm vjen nga kapiteni Robert Lewandowski, i cili gjithsesi e pranon se do të kenë përballë një kundërshtar të fortë.
“Shqipëria është gjithmonë një ekip i fortë, por ne do të luajmë në shtëpi dhe uroj që nuk do t’i lejojmë të kalojnë përpara. Ne i respektojmë ata. Kjo është finalja e tyre e parë dhe nuk ka vend për gabime. Kemi dy finale përpara dhe do të jemi në gjendje të kualifikohemi për Kupën e Botës, e besoj këtë”, tha Robert Lewandowski, kapiten i Polonisë.
Për Jan Urban, kjo është pika më e lartë e karrierës së tij si trajner.
“Po, është ndeshja më e rëndësishme. Gjithçka është në lojë këtu. Unë i bazoj shpresat e mia për sukses tek ekipi. Siç e përmendi kapiteni, jemi në një situatë ku shumica dërrmuese luajnë për klubet e tyre. Ritmi i ndeshjes është i rëndësishëm dhe do të doja ta shfrytëzoja këtë”, u shpreh Jan Urban, trajner i Polonisë.
Polonia ka 8 përfaqësime deri më tani në fazën finale të Kupës së Botës, e fundit në edicionin e kaluar.
