Gazetare: Melihate Rustemi

Në tekstin shkollor të Gjeografisë për klasën e VII-të, botuar nga shtëpia botuese “Trimaks”, Shkup dhe miratuar me vendim zyrtar nga Komisioni Kombëtar për Libra Mësimore më 5 gusht 2025, janë identifikuar një sërë pasaktësish dhe formulimesh të cilat, sipas mësimdhënësve dhe prindërve, shkaktojnë shtrembërime historike dhe nxisin interpretime të gabuara për Republikën e Kosovës. Libri, i përgatitur nga autori Bllagoja Markoski, me recensentë Dragan Kollçakovski, Nikolla V. Dimitrov dhe Nevenka Stoeva, i përkthyer në gjuhën shqipe nga Roland Poloska dhe i lekturuar nga Farketa Dibra Zeqiri është futur në përdorim gjatë vitit shkollor 2025. Megjithatë, pavarësisht procesit të recensimit dhe aprovimit, njësia mësimore për Kosovën ka nxitur reagime për shkak të disa përmbajtjeve të konsideruara të papërshtatshme.

Kritikat fillojnë me mënyrën se si teksti e përcakton pozitën gjeografike të Kosovës, duke theksuar se “gjendet në jugperëndim të Serbisë”, një formulim që nuk përdoret për asnjë shtet tjetër në libër. Mësimdhënësit vlerësojnë se një qasje e tillë i jep Serbisë rolin e pikë-referencës për Kosovën, duke anashkaluar faktin se Maqedonia e Veriut e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe se praktika shkencore kërkon përshkrimin e pozitës brenda Gadishullit Ballkanik, njësoj si për vendet e tjera.

Polemikat thellohen edhe më shumë me përdorimin e termit “Metohia” për zonën e Rrafshit të Dukagjinit. Për mësimdhënësit, futja e tij në një libër mësimor në gjuhën shqipe përbën devijim të rëndë nga standardet shkencore dhe rrezikon të ngulë te nxënësit një perspektivë të huaj dhe të njëanshme për territorin e Kosovës.

Reagime ka shkaktuar edhe përdorimi i formulimit “Mitrovica e Kosovës”, që nuk përputhet me emërtimin zyrtar të qytetit. Sipas kritikëve, ky lloj terminologjie reflekton qasje të terminologjisë serbe “Kosovska Mitrovica” dhe nuk duhet të jetë pjesë e një teksti shkollor të aprovuar institucionalisht.

Duke qenë se libri ka kaluar nëpër duart e recensentëve universitarë dhe është miratuar nga organi më i lartë shtetëror për libra mësimorë, shumë prindër dhe profesionistë të arsimit kërkojnë përgjegjësi për këto gabime të lejuara. Ata shtrojnë pyetjen se si një tekst me elemente kaq të ndjeshme politike ka marrë aprovimin përfundimtar, duke rrezikuar që nxënësit të marrin njohuri të shtrembëruara për historinë dhe realitetin politik të Kosovës.

Ekspertët e arsimit kërkojnë rishikim urgjent të njësisë mësimore, korrigjim të terminologjisë dhe harmonizim me standardet shkencore dhe me politikat shtetërore të Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që brezat e rinj të mos ekspozohen ndaj interpretimeve të gabuara të një teme kaq të rëndësishme historike dhe gjeopolitike.

Për të sqaruar këto çështje, Alsat dërgoi pyetje në Ministrinë e Arsimit megjithatë, deri në këto momente nuk morëm asnjë përgjigje.

Ndryshe, termi “Metohi” (në serbisht Metohija) vjen nga fjala greke “metohion”, që do të thotë pronë manastiri ose tokë e shenjtë e në pronësi të kishave dhe manastireve.

Me kalimin e kohës, Serbia e përdori termin “Metohija” si emërtim gjeografik-politik, duke e lidhur atë me pretendimet historike dhe territoriale ndaj Kosovës.

Në kontekst shkollor në Maqedoninë e Veriut, përdorimi i këtij termi cenon neutralitetin akademik dhe krijon shtrembërime të realitetit gjeopolitik, sidomos kur vendi e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Prandaj, përdorimi i “Metohi” në një libër shkollor është i pasaktë, joprofesional dhe i papranueshëm nga këndvështrimi i standardeve edukative dhe të politikës së jashtme të vendit. /Alsat.mk

The post Libri i Gjeografisë për klasën e VII-të me shumë shtrembërime historike/ Kosova si “Metohi” dhe pjesë e Serbisë appeared first on Alsat.