Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi drejtorin e ri të Portit të Durrësit, Liburn Aliun, i cili do të zëvendësojë drejtorin aktual, Kreshnik Bajraktari, përcjell TV21. Balluku tha se Aliun e ka njohur kur ai ka qenë ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë. Ndërsa ish-ministri i Qeverisë Kurti u shpreh mirënjohës për besimin nga Qeveria Rama.

“Jam shumë i nderuar që jam sot këtu dhe jam i nderuar nga qeveria e R. Shqipërisë, nga zv/kryeministrja Balluku, për një detyrë që më është dhënë, që më është besuar dhe që është mjaft sfiduese. Porti i Durrësit vërtet nuk është vetëm port i Republikës së Shqipërisë, por është port i gjithë shqiptarëve, i gjithë rajonit”, tha mes tjerash Aliu.

Ndryshe, Aliu ka mbajtur postin e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nga viti 2021 deri në gusht të këtij viti, kur dha dorëheqje — një ditë pas votimit të Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit. Në një postim në Facebook, Aliu ishte shprehur se pikërisht ky ishte shkaku i dorëheqjes së tij, edhe se është raportuar shumë kohë më herët për ftohje të raporteve mes tij dhe kryeministrit Kurti.