Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami foli për ngjarjet e fundit që kryesisht lidhen me rastet gjyqësore. Përmendi personat e futur në listën e zezë dhe bëri të ditur se “ngjarjet e fundit japin shpresë” që “vitin e ardhshëm edhe më shumë të ndëshkohen abuzuesit e pushtetit”.
“Falë Koalicionit VLEN ne arritëm të kthejmë shpresën dhe drejtësinë në vend. Ky ishte një vit tranzicioni mes të vjetrës dhe të resë, vit ku duhej të shiheshin dallimet. Mendoj se shkëndija e parë u pa dhe këto shkëndija janë dëshmues të qartë për përkushtimin e VLEN-it, për vlerat që dëshiron t’i instalojë në politikë”, tha Bilall Kasami.
Kryetari i LD-së, Izet Mexhiti njoftoi se me fillim vitin e ri do të hapen mijëra vende të reja të punës. Jo vetëm në sektorin publik tha ai, por edhe në sektorin privat dhe tregoi se si do të bëhet kjo.
“Ne do të hapim më shumë fronte të punës duke krijuar me mijëra vende të reja të punës për qytetarët, qoftë në sektorin publik apo edhe në sektorin privat përmes partneriteti publiko – privat apo duke stimuluar sektorin privat”, tha Izet Mexhiti.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari tha se betejën e parë e kanë fituar në zgjedhjet e 8 majit, por lufta e vërtetë shtoi duhet të bëhet në zgjedhje lokale dhe ajo është të mbeten të bashkuar.
“Ne arritëm ta bëjmë ndryshimin dhe sot besoj se çdokush prej jush është krenar që ka hyrë në histori duke sjell ndryshimin te shqiptarët. Prej një shteti të kapur që e kontrollonte çdo pore të saj. Tash, një betejë e fituam por lufta definitive duhet të fitohet në vitin 2025 dhe kjo është shumë e rëndësishme”, tha Arben Taravari.
“Sot jam i lumtur për shkak se kam tri arsye për të festuar”, tha kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi
“Arsyeja e parë është kombëtare, arsyeja e dytë është politike dhe arsyeja e tretë është personale. Për arsyen e parë kombëtare, jam i sigurt që të gjitha i dini që ne arritëm që pas dy dekadave, shqiptarët t’i çlirojmë nga kapja dhe leksioni i kësaj është në qoftë se jemi të bashkuar gjithnjë ia vlen dhe suksesi është i patjetërsueshëm”, tha Zeqirija Ibrahimi.
Këto deklarata u dhanë në koktejin e fundvitit të organizuar nga VLEN.

