Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka lëshuar një alarm të fortë për gjendjen e rendit ndërkombëtar dhe vetë Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në një intervistë për La Repubblica gjatë vizitës së tij në Itali për hapjen e Lojërave Olimpike. “Kur ligji i forcës zëvendëson forcën e ligjit, pasojat janë thellësisht destabilizuese”, paralajmëroi ai.
Sipas Guterres, veprimet e pamatura në arenën ndërkombëtare, shkeljet e së drejtës ndërkombëtare dhe dobësimi i multilateralizmit po minojnë besimin mes shteteve dhe po rrisin rrezikun e përplasjeve globale, përcjell A2 CNN. Ai thekson se shtetet e fuqishme, kur i japin përparësi ndikimit mbi rregullat, dërgojnë një mesazh të rrezikshëm se normat mund të injorohen pa pasoja.
Një tjetër shqetësim madhor është kriza financiare e OKB-së. Guterres konfirmon se Organizata përballet me rrezikun e një “kolapsi financiar”, për shkak të mospagesës së kontributeve nga disa shtete anëtare. “Kjo e ekspozon OKB-në ndaj rreziqeve financiare strukturore dhe e detyron një zgjedhje të qartë: ose shtetet anëtare bien dakord të reformojnë rregullat financiare të OKB-së, ose pranojnë perspektivën reale të kolapsit të saj financiar”, tha ai.
Guterres gjithashtu shtoi se përgjegjësia për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare i takon Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe se asnjë mekanizëm tjetër nuk mund ta zëvendësojë atë. “Këshilli i Sigurimit ka miratuar rezolutën 2803 për Gazën. Ajo përcakton një sërë rolesh dhe përgjegjësish, përfshirë edhe ato të Bordit të Paqes, dhe është thelbësore që të zbatohet plotësisht. Inkurajoj të gjitha palët ta respektojnë. Na duhet që armëpushimi në Gaza të qëndrojë dhe të ecet me vendosmëri drejt Fazës 2. Kjo do të thotë tërheqje e plotë e forcave izraelite, çmontim i grupeve të armatosura dhe krijim i kushteve për një horizont politik të besueshëm, përfshirë një zgjidhje me dy shtete”, tha ai.
“Është e rëndësishme të jemi të qartë për mandatet. Përgjegjësia për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare i takon OKB-së dhe, brenda saj, Këshillit të Sigurimit. Vetëm Këshilli ka autoritetin e dhënë nga Karta për të vepruar në emër të të gjithë shteteve anëtare, për të miratuar vendime detyruese dhe për të autorizuar përdorimin e forcës sipas së drejtës ndërkombëtare. Asnjë organ apo nismë tjetër nuk mund ta zëvendësojë atë. Pikërisht për këtë arsye, forcimi dhe reforma e Këshillit të Sigurimit mbeten kaq të rëndësishme”.
The post “Ligji i forcës po zëvendëson forcën e ligjit”, Guterres paralajmëron: OKB në rrezik kolapsi appeared first on Alsat.
