Propozim ligji i ri për arsimin e lartë, i cili tashmë po pret vërejtje dhe sugjerime në sistemin ENER, ka si qëllim kryesor rritjen e cilësisë dhe jo diktimin e numrit të universiteteve. Kështu deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke theksuar se fokusi duhet të mbetet te përgatitja e studentëve për tregun e punës. Sipas Kasamit, propozim ndryshimet në ligj nuk e zgjidhin çështjen e numrit të institucioneve, por krijojnë kornizën për një organizim më të mirë. Kreu i Tetovës theksoi se e ardhmja e arsimit të lartë shqip në Maqedoninë e Veriut, nëse do të ketë bashkim universitetesh apo profilizim të tyre, u takon ekspertëve dhe vetë institucioneve. Pavarësisht formës së organizimit, Kasami kujtoi se çdo ndryshim ligjor apo strukturor duhet të ketë një emërues të përbashkët: rritjen e cilësisë. Sipas tij, vërejtjet për rënien e cilësisë prekin të gjitha universitetet në vend.

“Nuk është ligj që përcakton se a do të ketë një universitet apo më shumë universitete. Çështja e numrit të universiteteve do të zgjidhet në një debat tjetër që nuk ka të bëj drejtpërsëdrejti me ligjin. Pra, në këtë rast universitetet në gjuhën shqipe janë ato cilat në bashkëpunim edhe me pjesën tjetër të shoqërisë do të vendosin si do të organizohen, a do të jenë një, do të jenë dy, do të mbeten tre, do të jenë të profilizuara. Ideja është se çdo organizim, riorganizim të arsimit të lartë në gjuhën shqipe por edhe në përgjithësi në Maqedoni të Veriut të rritet kualiteti”, tha Bilall Kasami, kryetar i Tetovës. /Alsat.mk

The post Ligji i ri për arsimin e lartë ka për qëllim rritjen e cilësisë dhe jo diktimin e numrit të universiteteve appeared first on Alsat.