Liridona Beqiri deklaroi se bota po hyn në një rend të ri gjeopolitik, ku fuqitë globale po ripozicionohen dhe kufijtë ekonomikë e strategjikë po ridefinohen, ndërsa sipas saj Ballkani nuk ka luksin të mbetet vetëm vëzhgues i këtyre zhvillimeve.
Anëtarja e Kryesisë Qendrore të Bashkimi Demokratik për Integrim theksoi se shqiptarët duhet të jenë faktor në proceset rajonale dhe ndërkombëtare, e jo temë e diskutimeve politike. Ajo vlerësoi se demokracitë sot po përballen me sfida serioze nga populizmi, dezinformimi dhe ndikimet hibride gjeopolitike.
Sipas Beqirit, Ballkani Perëndimor mbetet një vijë strategjike ku përplasen vizione të ndryshme për të ardhmen e Europës, ndërsa shqiptarët historikisht kanë qenë ndër popujt më pro-perëndimorë në rajon. “Kjo nuk është rastësi, por zgjedhje civilizuese”, u shpreh ajo, duke shtuar se pa demokraci funksionale, pa NATO dhe pa integrim euroatlantik, rajoni mbetet i cenueshëm.
Ajo nënvizoi se relevanca e një populli në shekullin XXI nuk përcaktohet nga madhësia, por nga orientimi strategjik, kapitali njerëzor dhe aftësia për të qenë faktor stabiliteti. Në këtë drejtim, Beqiri tha se shqiptarëve nuk u ka munguar potenciali, elita akademike, diplomacia, ekonomia apo diaspora globale, por shpeshherë koordinimi strategjik kombëtar.
Në deklaratën e saj, Beqiri kritikoi mungesën e fokusit në politika afatgjata, duke thënë se “të tjerët ndërtojnë strategji afatgjata, ndërsa ne ende harxhojmë energji në ndasi të vogla”.
Ajo përfundoi se shqiptarët nuk kanë më luks për “adoleshencë politike”, por kanë nevojë për lidership të përgjegjshëm që, sipas saj, “mban peshën e realitetit dhe di të ndërtojë procese duke ruajtur denjësisht interesin shqiptar”.
