Gazetar: Miki Trajkovski

Një vajzë 26-vjeçare është pacientja më e re në Maqedoninë e Veriut që pret për transplantim të zemrës. Lista e pritjes është e gjatë. Transplantim presin rreth 200 persona, shumica për veshka, rreth tridhjetë për zemër dhe njëzet për mëlçi. Por, pavarësisht kësaj, vetëdija për dhurimin e organeve te ne është ende në nivel shumë të ulët.

“Këta pacientë presin thirrjen për jetë, për fat të keq shumë prej tyre i humbëm, nuk e pritën thirrjen, pikërisht për shkak se vetëdija për dhurimin e organeve në shtet është ende në nivel shumë të ulët”, tha Irena Raleva Najdevska – bashkëshortja e një pacienti me mbështetje mekanike

Deri më tani, më së shumti transplantime janë bërë në veshka, apo 520, ndërkohë më shumë se 100 pacientë të tjerë janë ende në pritje të transplantimit të veshkës.

“Për veshka është mëkat të presin kaq shumë njerëz për të marrë organ. Duhet të theksojmë transplantimin kadaverik. Transplantimi i gjallë funksionon dhe çdo dhjetë ditë deri në dy javë ne caktojmë transplantim. Kudo në botë forcohet transplantimi kadaverik dhe këtu duhet të jetë theksi”, u shpreh Sasho Dohçev – mjek.

Sonja Stolleska, të cilës në vitin 1999 në Beograd iu transplantua mëlçia nga kadaveri, thotë se nuk ka humanizëm më të madh se sa të dhurosh organ.

“Shumë është humane dhe nuk ka pse të frikësohen njerëzit. Normalisht jetohet. Unë jam profesoreshë dhe ende punoj si profesoreshë. Shteti duhet të nisë aktivitet rreth kësaj teme që është në hije, të dalë në krye. Për dhurimin e organeve duhet të zhvillohet vetëdija tek të gjithë qytetarët”, theksoi Sonja Stolleska – paciente.

Në Ohër, mjekë, aktivistë dhe qytetarë debatuan për këtë temë se si të ngrihet vetëdija për dhurimin e organeve./ Alsat.mk

The post Listë e gjatë e pritjes për transplantimin e organeve appeared first on Alsat.