Gazetar: Petar Çaushevski

Ortodoksët sot kremtojnë festën më të madhe festare, Pashkën. Në ditën e parë të festës, në Katedralen e Shkupit u mbajt liturgjia e udhëhequr nga kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Maqedonase. Një numër i madh i besimtarëve ndezën qirinj në oborrin e Katedrales me lutje për paqe, shëndet dhe gëzim.

“Së pari të ketë paqe në shtet, shëndet dhe lumturi për të gjithë. Të jemi të shëndetshëm e gjallë. Dhe paqe të ketë kudo,” tha një qytetar.

“Për shumë vite të jenë festat e Pashkëve, të gjithë të jemi të lumtur e të gëzuar. Të ketë harmoni dhe paqe,” tha një tjetër qytetar.

Katedralen e vizitoi edhe kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, i cili drejtoi një mesazh për qytetarët.

“Dua t’u uroj të gjithë besimtarëve festa të qeta, lumturi, shëndet dhe dashuri në familjet e tyre. Këto janë festa kur edhe praktikisht kuptimi i ekzistencës sonë shihet përmes kësaj feste, por edhe thelbi i jetës sonë, momente kur duhet të bashkohemi si popull,” tha Orce Gjorgjievski, kryetar i Shkupit.

Në të gjitha kishat ortodokse në mbarë vendin, mijëra besimtarë mbrëmë në mesnatë festuan Ringjalljen e Krishtit. Pashkët, së bashku me Krishtlindjet, konsiderohen si dy festat më të mëdha të krishterimit. Në këtë ditë festohet ringjallja e Jezu Krishtit nga të vdekurit, që simbolizon fitoren e jetës mbi vdekjen, të mirës mbi të keqen. /Alsat.mk

The post Liturgji madhështore për Pashkë në Katedralen e Shkupit: Besimtarët luten për paqe, shëndet dhe lumturi appeared first on Alsat.