Opozitarja LSDM ka lëshuar akuza në adresë të Qeverisë, për shkak se siç thonë, në një kohë kur qytetarët çdo ditë përballen me rritjen e çmimeve, inflacionin dhe uljen e fuqisë blerëse, pushteti ka rritur pagat e zyrtarëve për 200 euro. Zëdhënësja Bogdanka Kuzevska tha se për qeverinë Mickoski prioritet nuk është standardi i jetesës së qytetarëve, por përfitimi personal i zyrtarëve.
“Nuk ka para për rrogat e punëtorëve, por ka para për paga më të larta për zyrtarët e pushtetit, edhe atë për 200 euro! Kjo është e turpshme, e pacipë dhe e paedukatë. Mickoski publikisht premtonte se pagat e zyrtarëve nuk do të rriteshin. Sot shohim se kjo është një prej premtimeve të tij të shumta të rrejshme. Përderisa populli kursen për ushqim, ilaçe dhe fatura, zyrtarët e VMRO-DPMNE-së, VLEN dhe ZNAM bëjnë luks – me makina zyrtare, fluturime çarter, papaja, mango, e tash edhe me paga më të larta”, tha Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.
