LSDM akuzoi pushtetin për bllokim të fondeve IPARD 3. Sipas partisë opozitare, Komisioni Evropian ka pezulluar pagesat për shkak të korrupsionit nga VMRO-DPMNE dhe se Qeveria ka heshtur për këtë vendim për dhjetë ditë. Ata kërkojnë përgjegjësi.

“Izolim nga BE-ja! Dhjetë ditë pushteti hesht për këtë vendim. Evropa reagon dhe dërgon një mesazh të qartë se korrupsioni i VMRO-DPMNE-së nuk tolerohet, përgjegjësia duhet të ketë! Ky është skandali më i madh me para evropiane në Maqedoninë e Veriut; janë rrezikuar 130 milionë euro nga IPARD III – mjete për bujqit”, tha Jovana Trençevska – nënkryetare e LSDM-së.

Nga Ministria e Bujqësisë përgënjeshtruan, duke thënë se opozita po përpiqet të manipulojë opinionin. Nga Ministria bëjnë të ditur se Komisioni Evropian nuk ka marrë asnjë vendim për pezullimin e mjeteve nga programi IPARD 3.

“Në takimet me përfaqësuesit e Komisionit Evropian është paralajmëruar marrja e kontrolleve shtesë lidhur me lëndët tashmë të përfunduara. Pas përfundimit të verifikimeve dhe kontrolleve nga institucionet kompetente, zbatimi i programit IPARD III do të vazhdojë pa pengesa. Theksojmë se Maqedonia mbetet e përkushtuar në shfrytëzimin e fondeve, gjë që dëshmohet edhe nga fakti se aktualisht, në nivel rajonal, në zbatimin e programit IPARD III kemi një shkallë shfrytëzimi prej 7,3%, që është e mirë në krahasim me vendet e rajonit, menjëherë pas Turqisë”, thonë nga Ministria e Bujqësisë.

Kujtojmë se për rastin me fondet IPARD, më 6 nëntor policia arrestoi 5 persona, mes tyre zyrtarë shtetërorë dhe ndërmjetës, nën dyshimet për ryshfet, ndikim të paligjshëm dhe nënshkrim të paligjshëm të marrëveshjeve për fonde IPARD.