Bisedimet me partitë e tjera politike për mbështetje të ndërsjellë janë në zhvillim e sipër, dhe vendimi se me kë dhe ku do të japim mbështetje do të merret deri të mërkurën. Këtë e deklaroi kryetari i LSDM-së, Vjenko Filipçe, në lidhje me votimin në rrethin e dytë që do të mbahet javën e ardhshme.
“Ne do të marrim vendimin përfundimtar për mënyrën se si do të veprojmë dhe me kë do të koalicionojmë në ditët e ardhshme, më së voni deri të mërkurën. Brenda këtyre bisedimeve, absolutisht diskutojmë për të dyja gjërat – ku na duhet mbështetje dhe ku ne duhet të japim mbështetje. Bisedimet janë në zhvillim dhe do t’i finalizojmë gjatë ditës së nesërme, të martën, së voni”, tha Venko Filipçe.
A po zhvillohen bisedime me Levicën, pasi në ato vende ku LSDM hyri në rrethin e dytë nuk ka kundërkandidat nga Levica dhe anasjelltas. Kandidati për kryetar të Shkupit, Amar Mecinoviç, pret të marrë votat nga kandidati i tyre, por thotë se ende nuk kanë pasur bisedime.
“Besoj se për sa i përket vizionit që unë e promovoj dhe që ne e ndajmë, një pjesë e madhe e njerëzve që votuan për zonjën Kaja Shukovës dhe që besojnë se interesi publik duhet të jetë fokusi kryesor i një pushteti lokal, mund të më japin mbështetjen e tyre. Nuk kemi pasur asnjë bisedë me askënd, as gjatë parafushatës, as gjatë fushatës. Që kur kemi arritur në rrethin e dytë nuk kemi pasur bisedime”. tha Amar Mecinoviç.
Atmosfera e krijuar me thirrje për votime mbi bazë etnike, për atë se kush kë do të mbështesë në Bërvenicë apo Kërçovë, sipas Filipçes është e papranueshme.
“Mendoj se karakteri multietnik i vendit tonë, marrëdhëniet e mira ndër-etnike, janë diçka që duhet të mbetet prioritet. Nga ana tjetër, është fakt që qytetarët shpesh votojnë mbi baza etnike. Ne nuk do të veprojmë sipas dallimit etnik, diskutojmë me të gjithë aktorët politikë. Nuk është vetëm për Kërçovën apo Bërvenicën, bëhet fjalë për Shkupin, për mënyrën se si do të veprojmë në Karposh, në Kumanovë”, deklaroi Filipçe.
Filipçe gjithashtu u ankua se në komunat ku kanë kandidatë për kryetarë, ata janë përballur me presione para votimit, përfshirë kontrolle policore, financiare, përmes qendrave për punë sociale dhe u është ofruar edhe para për blerje votash. Për shkak të gjithë këtyre rrethanave, punuam në kushte vërtet të vështira, tha ai.

