Gazetar: Zekirija Haxhiu

Vazhdon rënia e mbështetjes së qytetarëve për LSDM-në. Në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2021 kur LSDM në rreth të parë pati fituar në nëntë komuna, e më pas në rreth të dytë në 16 komuna, tani kjo parti në rrethin e parë fitoi vetëm në tre komuna, në disa të tjera ka shkuar në balotazh. LSDM fitoi në Kriva Pallankë, Krivogashtan dhe Bogdanc.

Në krahasim me komunat që udhëhiqte deri tani, LSDM humbi Berovën, Dellçevën, Staro Nagoriçanin dhe Çashkën. Ndërkohë në komunat Vallandovë, Demir Kapi, Dojran e Probishtip ku garon në raundin e dytë, është në disavantazh. LSDM humbi madje edhe bastionin e vet, Strumicën. Kryetar i deritanishëm i kësaj komune, Kostadin Kostadinov, i mllefosur me LSDM-në, kërkoi largimin e menjëhershëm të kryesisë së partisë.

“Kjo nuk është një humbje e thjeshtë, por turp i madh dhe poshtërim politik. Gjendja ku është ndezur alarmi i kuq nuk është sinjal i mjaftueshëm për udhëheqësinë e partisë më të madhe opozitare. Mos flisni sikur jeni të lumtur me rezultatin. Humbje më të madhe se kjo nuk ka. Orë e më parë, gjithkush që ka sjellë vendime duhet të shikohet në pasqyrë dhe të pranojë se nuk di dhe të ikë”, tha Kostadin Kostadinov – Kryetar i deritanishëm i Strumicës – LSDM.

Edhe VMRO-DPMNE-ja akuzoi LSDM-në për debakël në raundin e parë të zgjedhjeve lokale. I bënë thirrje udhëheqjes së opozitës të tërhiqen.

“LSD në kryeqytet shkoi deri aty që nuk arriti të hyjë as në rreth të dytë. Në kryeqytet në Shkup janë madje të katërtit, para tyre të tretët madje dolën edhe VLEN. Rezultatet nga rrethi i parë i zgjedhjeve, qartë tregojnë se LSD e udhëhequr nga Venko Filipçe bashkë me gurunë e tij nga Strumica, Zoran Zaev, treguan se nuk kanë ide dhe as projekte”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Por nga LSDM nuk duan të dëgjojnë për dorëheqje. Nga kjo parti filluan të llogarisin rënien e VMRO-së dhe ngushtimin e mbështetjes mes këtyre dy partive. Bëjnë krahasim me votat nga zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Edhe pse ky nuk është rezultati i dëshiruar për LSDM-në, vërejmë stabilizim dhe rritje në disa komuna. Numri i përgjithshëm i votave tregon se LSDM ka ulur dallimin në krahasim me VMRO-DPMNE-në dhe e ka rritur në krahasim me ZNAM-in. Mbajmë avantazhin para “Së Majtës””, thanë LSDM.

LSDM në Qytetin e Shkupit doli e katërta, prapa Së Majtës dhe prapa VLEN-it. Madje rreth 700 vota e ndanë atë nga vendi i pestë që ishte AKI-ja. Në Shkup LSDM pësoi rënie edhe në numrin e këshilltarëve. Nga 11 që kishte në zgjedhjet e 2021shit, tani do ti ketë vetëm pesë. Rënia e LSDM-së u vërejt edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe presidenciale, ku nga 46 deputetë që fitoi në zgjedhjet e vitit 2020, ra në 15 në zgjedhjet e vitit të kaluar. Edhe në garën presidenciale, Pendarovski mori 250 mijë vota kundrejt Siljanovskës që mori 559 mijë vota./ Alsat.mk

The post LSDM përjeton humbje të thellë në zgjedhjet lokale – humb edhe Strumicën pas 20 vitesh appeared first on Alsat.