LSDM-ja opozitare dhe VMRO-DPMNE-ja në pushtet vazhdojnë me akuzat e ndërsjella për ujin e ndotur në Gostivar. Opozitarët akuzojnë se pas të gjitha paralajmërimeve, premtimeve dhe “analizave që tregojnë përmirësim”, qytetarët tashmë pesë javë, ende nuk lejohen ta pinë ujin e çezmës.

“Në fillim të krizës në Gostivar fshehën. Gënjyen. E minimizuan problemin. Njësoj siç fshehin edhe tani për ndotjet e tjera. Gjithçka është sipas të njëjtit parim. Fillimisht fshihet. Pastaj paralajmërohet. Në fund, qytetarët mbeten pa ujë të sigurt, ndërsa ata vazhdojnë me konferenca për shtyp. Kur një pushtet gënjen vazhdimisht për gjërat themelore – ujin, ajrin, shëndetin, atëherë askush nuk u beson më asnjë deklarate të tyre. Gostivari është vetëm dëshmia më e fundit”, theksoi Trajçe Stojçevski, Dorumi i të rinjve – LSDM.

Nga VMRO-DPMNE thotë se LSDM-ja nuk ka të drejtë të bëjnë moral për ujin e ndotur në Gostivar dhe kërkuan që Prokuroria të hetojë heshtjen e Filipçes dhe pushtetit të LSDM-së, i cili, sipas tyre, ka lejuar që gostivarasit të helmohen për vite me radhë, pa e ditur se nga çfarë u shkaktohen sëmundjet.

“Filipçe, fundërrina e shoqërisë, për shkak të të cilit për vite kemi pirë ujë të pasigurt, ndërsa kjo nuk na është thënë neve, qytetarëve të Gostivarit, nuk ka të drejtë të moralizojë për rastin. Për vite me radhë Filipçe dhe pushteti i udhëhequr nga LSDM-ja kanë marrë raporte nga institucionet shtetërore se uji në Gostivar nuk është për t’u pirë, ndërsa ata këtë e kanë fshehur dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për përballimin e problemit”, u shpreh Martina Andonovski, VMRO-DPMNE – Dega Gostivar .

Problemi me ujin e pijshëm në Gostivar, por edhe me banorët e helmuar, vazhdon prej më shumë se një muaji. Nga shtabi lokal i krizës dje informuan se analizat e fundit laboratorike tregojnë përmirësim të dukshëm, gjë që jep shpresë se së shpejti uji nga ujësjellësi i qytetit do të jetë sërish i sigurt për përdorim. Megjithatë, deri në konfirmimin zyrtar nga autoritetet shëndetësore, mbetet në fuqi rekomandimi që uji nga ujësjellësi të mos përdoret për pije.