Gjykata Themelore Penale në Shkup shpalli fajtorë Lube Krstevski dhe Branko Bilbilovski për vrasjen e qenit Feliks, i cili ndërroi jetë më 7 janar 2025 si pasojë e plagëve të marra.
Sipas aktakuzës, më 19 nëntor 2024, Krstevski, duke përdorur një mjet të fortë të ngjashëm me një shkop, e kishte goditur disa herë Feliksin në kokë pa ndonjë arsye të justifikuar, duke i shkaktuar tronditje të trurit dhe hematoma. Së bashku me Bilbilovskin, e kishin lidhur qenin me tel dhe e kishin tërhequr deri te një kontejner, ku më pas e kishin hedhur, duke besuar se ishte i ngordhur.
Gjykata dënoi Krsteskin me tre muaj burg, ndërsa Bilbilovski u dënua me një gjobë prej 100 ditësh me vlerë 10 euro për ditë, që në total arrin në 1.000 euro.
Vepra është kualifikuar sipas nenit 233, paragrafi 1 i Kodit Penal, i cili parasheh dënim me gjobë ose deri në tre vjet burg për këdo që vret një kafshë pa arsye ose e ekspozon ndaj dhimbjeve dhe vuajtjeve të panevojshme.
Gjykimin e udhëhoqi gjyqtarja Lidija Petrovska, ndërsa përfaqësues i akuzës ishte prokurori publik Zoran Zdravev.
Kjo është aktgjykimi i parë që shqipton një dënim me burg për këtë lloj vepre penale.
