Gazetare Melihate Rustemi
Lufta në Iran pritet të shkaktoj krizë edhe në vendin tonë. Megjithëse konflikti ndodh mijëra kilometra larg, Maqedonia e Veriut pritet të goditet brenda 10 ditësh nga vala e shtrenjtimit të karburanteve dhe produkteve bazë. Ekspertët paralajmërojnë se shteti duhet të ulë menjëherë taksat dhe TVSH-në, ose qytetarët do të përballen me një goditje të re të papërballueshme inflacioni.
“Sot ne po përballemi me një shok energjetik, pasojat e të cilit do të fillojmë t’i shohim pas një jave ose dhjetë ditësh. Pra, ende nuk kemi parë asgjë. E dyta është shoku ekonomik dhe ai i sigurisë në lidhje me hapjen e rrugës së migracionit. E dimë nga përvoja dhe historia se pas çdo paqëndrueshmërie në Lindjen e Mesme, pason një valë migracioni”, deklaroi Rabi Sadrak, drejtor i Institutit „Radika“.
Megjithatë, për ish-ambasadorin Ivica Bocevski, frika për një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vendit tonë është paranojë. Sipas tij, rreziku i vërtetë vjen nga paraliza e rrugëve tregtare globale dhe rritja e çmimeve.
“Këtu nuk ka kërcënim, kërcënimi për ne është indirekt, vjen nga çrregullimi i tregut të burimeve të energjisë, nga ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit dhe qarkullimit global në Detin e Kuq dhe Kanalin e Suezit. Këto janë rreziqet, inflacioni dhe rritja e çmimit të benzinës”, theksoi Ivica Bocevski, Ish ambasador.
Ish ministri i Financave, Kiril Minovski kërkon që shteti të mos presë fundin e krizës, por të ndërhyjë menjëherë te taksat për të parandaluar goditjen mbi xhepat e qytetarëve.
“Është i domosdoshëm një rol proaktiv i shtetit me qëllim që të ndërhyhet, qoftë përmes akcizave, qoftë përmes uljes së TVSH-së, për të mbrojtur sa më shumë standardin e popullatës, sepse pjesën më të madhe të efekteve të krizave gjithmonë do ta ndjejnë qytetarët e thjeshtë. Prandaj është e nevojshme të veprojmë jo ‘post festum’, por në mënyrë proaktive. Mekanizmat ekzistojnë, baza ligjore ekziston, por është e nevojshme proaktiviteti”, tha Kiril Minovski, Ish ministër i Financave. /Alsat.mk.
The post Lufta në Iran pritet të shkaktoj krizë edhe në vendin tonë appeared first on Alsat.
