Kompania Karex Bhd në Malajzi, prodhuesi më i madh në botë i prezervativëve, planifikon të rrisë çmimet me 20% deri në 30% dhe mund të shkojë edhe më lart nëse vazhdojnë ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit për shkak të luftës me Iranin, ka deklaruar drejtori ekzekutiv të martën, përcjell TV21.
Sipas Reuters, kompania po përballet gjithashtu me rritje të kërkesës për prezervativë, pasi kostot e transportit dhe vonesat në dërgesa kanë bërë që shumë klientë të kenë më pak rezerva se zakonisht, tha CEO Goh Miah Kiat për Reuters.
“Situata është shumë e brishtë, çmimet janë të larta nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse t’ua kalojmë këto kosto klientëve,” u shpreh ai.
Karex prodhon mbi 5 miliardë prezervativë në vit dhe furnizon marka të njohura si Durex dhe Trojan, si dhe sisteme shëndetësore shtetërore si NHS në Britani dhe programe humanitare të OKB-së.
Kompania është ndër shumë firmat që po përballen me probleme në zinxhirin e furnizimit për shkak të tensioneve që kanë prekur furnizimin me energji dhe materiale petrokimike nga Lindja e Mesme.
Që nga fillimi i konfliktit në fund të shkurtit, Karex ka parë rritje të kostove për lëndë të para si goma sintetike, nitrili, si dhe materiale paketimi dhe lubrifikantë.
Sipas CEO-së, kompania ka furnizime të mjaftueshme për muajt e ardhshëm dhe po rrit prodhimin për të përballuar kërkesën në rritje, ndërsa rezervat globale të prezervativëve kanë rënë ndjeshëm.
Kërkesa për prezervativë është rritur rreth 30% këtë vit, ndërsa vonesat në transport kanë përkeqësuar mungesat, me dërgesa drejt Evropës dhe SHBA-së që tani zgjasin rreth dy muaj në vend të një muaji.
“Po shohim shumë prezervativë që mbeten në anije dhe nuk arrijnë në destinacion, ndërkohë që janë shumë të nevojshëm,” tha ai, duke shtuar se shumë vende në zhvillim po përballen me mungesa për shkak të vonesave në furnizim.
