Atletja Luiza Gega në Vizion Plus ka treguar arsyet që e çuan të shkëputej për dy vite nga gara pas Lojërave Olimpike të Parisit, duke pranuar se ishte e lodhur psikologjikisht dhe kishte nevojë të ndalonte për të reflektuar.
Luiza tregoi se, pavarësisht dëshirës për të shijuar më shumë jetën jashtë pistës, adrenalina e garave dhe emocionet e arritjes së objektivave i kanë munguar.
“Kam bërë një shkëputje prej dy vitesh pas Lojërave Olimpike në Paris. Ndihesha shumë e lodhur psikologjikisht, më shumë e ngarkuar. U shkëputa sepse rezultatet po vinin në rënie. E kisha përgatitur veten që do të ndaloja pak kohë. Dua të shijoj ndoshta edhe disa gjëra, sepse vitet ikin. Koha kalon shumë shpejt, dhe ti e gjen veten duke vrapuar nga një objektiv te tjetri. Thosha me vete: “Kur do të ndalem?”. Vendos disa objektiva, ia arrin dhe thua: “Ta provoj veten edhe pak, të shoh deri ku i kam limitet”. Duket sikur nuk do të kishte fund. Doja të shijoja disa gjëra, por prapë pashë që nuk më përmbushin aq shumë sa adrenalina e pistës. Më është dashur shumë mund dhe sakrificë. Kur i arrin objektivat, përjeton disa emocione dhe thua: “Ja, ia dola!”. Dhe këto emocione më mungonin”, tha Luiza Gega në Vizion Plus.
Kampionia u ndal edhe te sakrificat që kërkon rikthimi në nivelet më të larta të atletikës, si dhe te përkushtimi i saj ndaj akademisë ku punon me fëmijët.
“E di shumë mirë që, po të synoj objektiva evropianë dhe botërorë, do të duhet një sakrificë shumë më e madhe. Do të më duhet të shkëputem, të largohem nga Shqipëria dhe të shpërngulem për këto stërvitje, në kampe stërvitore në lartësi mbi nivelin e detit. Unë prej 12 vitesh kam shkuar në Afrikë gjatë periudhës së dimrit, më pas në malet e Korçës, thjesht për të mbajtur këtë nivel shumë të lartë. Por nuk e di nëse jam gati për t’i bërë sërish këto sakrifica, sepse e kam të vështirë që tani të shkëputem edhe nga ajo që po mundohem të ndërtoj me fëmijët. Kam dy vite që i përkushtohem akademisë që kemi”, u shpreh Luiza Gega.
Ajo foli gjithashtu edhe për dëshirën e madhe për t’u bërë nënë në të ardhmen.
“Doja të krijoja një jetë, pse jo, edhe më të lehtë, nëse do të kem fëmijë në të ardhmen. I dua shumë fëmijët, i adhuroj. Kjo është arsyeja pse kënaqem kur punoj me fëmijët. Më pëlqen që mundohem t’u jap diçka. Jo të gjithë do të bëhen kampionë, por do të mësojnë vetëbesimin, do të mësojnë të mos dorëzohen, pra të gjitha këto të mira që marrin nga sporti”, theksoi atletja.
